Ballina Politika “Industria farmaceutike përballet ende me sfida”, ministrja Sala: Sistemi kërkon qëndrueshmëri në...

“Industria farmaceutike përballet ende me sfida”, ministrja Sala: Sistemi kërkon qëndrueshmëri në treg

60
0

Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, mori pjesë në Konferencën Mbarëkombëtare Farmaceutike, e cila këtë vit shënoi edhe 20-vjetorin e themelimit. Në fjalën e saj, ajo e cilësoi këtë event si një moment të rëndësishëm për të reflektuar mbi arritjet e deritanishme, por edhe për të adresuar sfidat që e presin sektorin në të ardhmen.

“Ky përvjetor është një mundësi për të vlerësuar rrugën e bërë deri më sot, por edhe për të parë me realizëm sfidat që kemi përpara. Sektori farmaceutik është një nga shtyllat kryesore të sistemit shëndetësor dhe forcimi i tij mbetet një prioritet kombëtar, me synimin për të garantuar akses të qëndrueshëm në barna cilësore, të sigurta dhe efektive”, u shpreh ministrja. Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e reformimit dhe inovacionit në këtë sektor, duke nënvizuar se një nga objektivat kryesore mbetet përmirësimi i aksesit të qytetarëve në barna të reja.

Sipas saj, synohet jo vetëm futja e barnave inovative në treg, por edhe shkurtimi i kohës së aksesit për pacientët, në përputhje me praktikat më të mira evropiane. Ministrja Sala shtoi se zhvillimi i qëndrueshëm i tregut farmaceutik kërkon politika të balancuara, që garantojnë njëkohësisht aksesin për qytetarët, çmime të përballueshme dhe stabilitet afatgjatë të sektorit, duke theksuar nevojën për bashkëpunim të vazhdueshëm me të gjithë aktorët e përfshirë.