Ballina Lifestyle Pse fitorja e Selin në Big Brother do të ishte një fitore...

Pse fitorja e Selin në Big Brother do të ishte një fitore për Gen Z dhe gjithë shoqërinë

66
0

Big Brother, përfundoi në ditën e 120-të ku u shpall fituese Selin Bollati. Në finale ishin 3 burra: Miri, Mateo, Rogert dhe një vajzë, Selin.

Ndërsa me finalet apo fitoret e burrave në Big Brother jemi mësuar, këtë vit surpriza ishte Selin, balerinë profesioniste, Gen Z, vetëm 23 vjeç.

Selin përfaqëson pikërisht këtë brez.

Një brez që nuk ka frikë të jetë i drejtpërdrejtë. Që nuk e fsheh emocionin. Që nuk kërkon të duket perfekt, por real. Gjatë gjithë rrugëtimit të saj, Selin nuk ndërtoi një personazh për kamerat, ajo ishte vetvetja. Me gabime, me reflektime, me ulje-ngritje. Gaboi dhe kërkoi falje. U përfshi emocionalisht, si në historinë e dashurisë me Dj Gimbon, nga Kosova, dhe tregoi respekt, pavarësisht presionit dhe mosbesimit të banorëve tek ndjenjat e saj.

Ky është Gen Z: i papërkryer, por autentik.

Në një lojë ku shpesh fitojnë ata që dinë të manovrojnë më mirë imazhin, Selin zgjodhi të mos filtrohet. Pikërisht kjo e bëri më të fortë.

Autenticiteti i saj, forca argumentuese, të qenit luftarake dhe njëherësh zemërbutë nuk është i rastësishëm.

E rritur me gjyshër, siç ajo vetë ka rrëfyer gjatë gjithë rrugëtimit, Selin mbart një kombinim interesant: energjinë e një brezi të ri dhe një bazë vlerash të vyera, të rrënjosura. Kjo shpjegon pse, edhe në momentet më të vështira, ajo nuk u thye dhe nuk e humbi ekuilibrin.

Dhe momentet e vështira nuk kanë qenë të pakta.

Selin ka përballuar denigrim moral, bullizim dhe presion të vazhdueshëm në një ambient të mbyllur me 39 banorë dhe nën vëzhgim për 33 prime. Në vend që të tërhiqej, kur nëna e saj i tha ta linte garën, ajo qëndroi. Nuk u fsheh. Nuk u zbut për t’u pëlqyer.

Ky është një tjetër tipar i Gen Z: refuzimi për të qenë dikush tjetër vetëm për të marrë miratim.

Në aspektin e lojës, Selin nuk ka qenë figurë pasive. Ajo ka qenë protagoniste në shumë nga dinamikat kryesore, ka hapur debate, ka sfiduar tabu dhe ka mbajtur gjallë ritmin e spektaklit. Një fitues duhet të ketë ndikuar realisht në rrjedhën e lojës dhe Selin e ka bërë këtë në mënyrë të vazhdueshme.

Por përtej lojës, ka edhe një dimension më të thellë. Historia e saj personale, dëshira për të ecur përpara dhe për të bashkuar familjen, për të kthyer babain nga emigrimi në shtëpi, e bëjnë rrugëtimin e saj më shumë se një garë për çmim.

Gen Z, një brez shpesh i paragjykuar, nuk kërkon perfeksion. Kërkon të vërtetën, guximin për të qenë vetvetja dhe forcën për të mos u dorëzuar.

Nëse Big Brother do duhet të shpërblejë këto vlera, atëherë fitorja e Selin nuk do të ishte vetëm e saj.

Do të ishte një fitore për një brez të tërë dhe madje për të gjithë shoqërinë që voton.