Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas dispononte një sasi lënde narkotike të dyshuar kokainë dhe merrej me shpërndarjen e saj në qytetin e Durrësit, organizuan menjëherë punën për lokalizimin dhe kapjen në flagrancë të këtij shtetasi.
Në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, u finalizua operacioni policor i koduar “Coast”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë, në lagjen nr. 17, Durrës, shtetasi G. R., 22 vjeç, si dhe u procedua penalisht shtetasi L. Gj., 21 vjeç, të dy banues në Durrës.
Gjatë kontrollit fizik të shtetasit G. R., në çantën e dorës iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike, e llojit kokainë.
Po ashtu, nga kontrolli i ushtruar në banesën e tij, u gjet një tjetër sasi e dyshuar e së njëjtës lëndë.
Në total, u sekuestrua një sasi rreth 188.5 gramë lëndë e dyshuar narkotike, e llojit kokainë.
Gjithashtu, në kuadër të operacionit, u procedua penalisht shtetasi L. Gj. për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, pasi ndodhej me shtetasin G. R. në lagjen nr. 17.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga punonjësit e Policisë, iu gjet një mjet prerës (thikë), e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këto veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.







