Nga Klevis Bakillari
Betejat politike në Shqipëri, të shndërruara në ndeshje partish e përplasje fortesash, ku secila palë mbron territorin e vet, e kanë deformuar të gjithë klasën tonë politike. Ka ardhur koha që politika të ndalë së qeni garë flamujsh dhe të bëhet provë ndërgjegjeje. Nuk na vlejnë më betejat kundër kundërshtarit, por ato kundër zakoneve të kalbura që mbajnë peng vendin.
Edhe Spiropali erdhi nga kjo logjikë përballjeje, nga fjalimet, kundërshtitë dhe betejat në bastionet e Partisë Demokratike, ku politika matej me inate, duartrokitje dhe nerv. Mirëpo koha e nxjerr politikën nga kostumi i propagandës dhe e vendos para pasqyrës së realitetit. Dhe realiteti shqiptar nuk ka qenë veç përplasje partish; ai ka qenë kapje institucionesh, shpërdorim besimi dhe përvetësim pushtetesh deri në zyrën më të vogël.
Ndaj lufta ndaj kundërshtarit politik duhet të zëvendësohet me luftën ndaj kulturës së pushtetit.
Korrupsioni nuk është vetëm një vjedhje parash. Është një makinë bluarëse që ha ekonominë, copëton shpresën dhe rrënon sigurinë e jetës së përditshme. Korrupsioni i merr biznesit frymën, të riut të ardhmen, familjes qetësinë dhe qytetarit besimin se ligji vlen njësoj për të gjithë.
Shoqëria po mësohet me korrupsionin dhe po jeton me logjikën e nënshtrimit. Njeriu nuk pyet më: “Çfarë më takon?”, por “Kujt duhet t’i lutem?”. Nuk pyet më: “Çfarë është e drejtë?”, por “Kë njoh?”. Prandaj demokracia jonë ka mbetur ende në baltën e pazareve të vogla, pa arritur të ngjitet në piedestalin e Kushtetutës.
Korrupsioni nuk trembet nga deklaratat, por nga rregulli. Ndërsa integriteti nuk ka nevojë për rregulla, filozofia e Spiropalit kërkon të godasë neglizhencën, pandëshkueshmërinë dhe vetëkënaqësinë e administratës.
Shqiptarët nuk duhet të bashkohen rreth partive si tifozë pas ngjyrave. Partitë janë mjete, jo fe. Ajo që duhet t’i bashkojë është meraku se e ardhmja po mbahet peng sa herë që një vend pune blihet, një tender ndahet, një institucion përdoret si plaçkë dhe një pushtet zgjatet si hije mbi jetën e qytetarëve.
Sot beteja më e madhe nuk është mes së majtës dhe së djathtës. Është mes shtetit dhe kapjes së shtetit. Mes qytetarit dhe klientelës. Mes shpresës dhe lodhjes kolektive.
Nëse Elisa Spiropali ka zgjedhur të luftojë mullinjtë e korrupsionit, ajo nuk duhet të duket kalorëse, por të provojë se mund t’i ndalë vërtet.
Spiropali është kalorëse në politikë dhe nuk është matur nga postet, por nga betejat që ka marrë përsipër.







