Ballina Politika ‘Situatë alarmante tek Trauma’ – Xhixho: Spitali drejt kolapsit, 10 salla operatore...

‘Situatë alarmante tek Trauma’ – Xhixho: Spitali drejt kolapsit, 10 salla operatore jashtë funksionit

79
0

Rikonstruksioni i plotë i spitalit, i cili pritet të zgjasë deri në dy vite, ka sjellë mbylljen e bllokut operator qendror dhe nxjerrjen jashtë funksionit të 10 sallave operatore.

Kjo, thekson Xhixho, ka shkaktuar një kolaps të shërbimit, ndërsa zgjidhjet e deritanishme nuk po garantojnë vijimësinë normale të kujdesit shëndetësor për pacientët.

Në reagimin e saj, ajo nënvizon se mijëra qytetarë janë përballur me lista të gjata pritjeje, duke mos marrë trajtimin në kohë për shkak të shtyrjes së ndërhyrjeve kirurgjikale me muaj apo edhe vite. Si pasojë, shumë prej tyre detyrohen të drejtohen drejt spitaleve private ose të kërkojnë trajtim jashtë vendit.

Xhixho evidenton gjithashtu mungesën e disa shërbimeve bazë si ndërhyrjet ortopedike, okulistika, urologjia dhe trajtimi i këmbës diabetike, ndërsa shton se janë raportuar edhe raste të infeksioneve spitalore dhe pranisë së baktereve të rrezikshme në sallat operatore.

Duke iu referuar deklaratave të kryeministrit Edi Rama për “shëndetësi falas”, ajo thekson se realiteti në terren është ndryshe, pasi sipas saj rreth 60% e shpenzimeve shëndetësore mbulohen nga vetë qytetarët.

Sipas Xhixhos, sistemi përballet me mungesë ilaçesh dhe probleme të theksuara funksionimi.

Postimi i plotë:

Sot dua të denoncoj një situatë alarmante në Spitalin Kombëtar të Traumës.

Siç e shihni, spitali është në rikonstruksion të plotë, një proces që pritet të zgjasë deri në 2 vite.

Kjo situatë ka bërë që blloku operator qendror të mbyllet dhe 10 salla operatore të dalin jashtë funksionit, duke sjellë një kolaps të shërbimit. Zgjidhja e dhënë deri më tani nuk po garanton vazhdimësinë e shërbimit shëndetësor.

Mijëra pacientë janë lënë në lista pritjeje, me ankthin e sëmundjes që nuk arrijnë ta trajtojnë në kohë. Operacionet shtyhen me muaj e vite dhe shumë qytetarë detyrohen të paguajnë në privat ose të largohen jashtë vendit.

Nuk kryhen më ndërhyrjet ortopedike dhe mungojnë shërbime si okulistika, urologjia apo trajtimi i këmbës diabetike. Ndërkohë, infeksionet spitalore dhe bakteret e rrezikshme janë evidentuar edhe në sallat operatore.

Edi Rama flet për “shëndetësi falas”, ndërkohë që 60% e shpenzimeve paguhen nga xhepi i qytetarëve. Realiteti është mungesa e ilaçeve dhe një sistem në kolaps.

Ndaj kam kërkuar me urgjencë interpelancë me Ministren e Shëndetësisë për të sqaruar këtë situatë dhe për të marrë masat urgjente për përballimin e saj.

Kjo situatë po cenon sigurinë kombëtare, pasi në një emergjencë që mund të ndodhë në çdo moment, vendi është praktikisht pa një spital traume funksional që mund t’u shërbejë pacientëve në kohë.

Koha për llogaridhënie dhe jo me propagandë!