Ballina Kosovë Kurti: Shkuarja në zgjedhje s’është opsion, duhet vullnet për zgjidhje e vendime...

Kurti: Shkuarja në zgjedhje s’është opsion, duhet vullnet për zgjidhje e vendime jo të lehta

56
0

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se beson që shkuarja në zgjedhje të parakohshme nuk është opsion dhe se për zgjedhjen presidentit duhet vullnet e gatishmëri për kompromis.

“Kemi hyrë në pjesën e fundit të muajit prill, dhe para vetës kemi një afat kushtues që po ofron, shkuarja në zgjedhje të parakohshme parlamentare unë besoj që nuk është opsion, e zgjedhja e presidentit është detyrë kushtetuese të zgjedhurve të popullit. Kjo kërkon vullnet për zgjidhje, gatishmëri për kompromis dhe vendime jo të lehta”, ka deklaruar Kurti në mbledhjen e Qeverisë, duke shtuar se zgjedhjet nuk do të sjellin ndryshime në rezultat.

Ai shton se diskutimet për zgjedhjen e presidentit  duhet të  zhvillohen nga pozicionet e fituara në zgjedhjet e kaluara.

“Ne e dimë që nuk ka parti që mund të pretendojë se i fiton 80 e më shumë deputetë, andaj duhet të pranohet rezultati i zgjedhjeve dhe nga këto pozicione të zhvillohen diskutime të sinqerta e të arsyeshme në interesin më të mirë për vendit tonë. Ne jemi të hapur për zgjidhje e cila i përgjigjet vullnetit qytetar”, është shprehur Kurti. 

Kryeministri nënvizoi se Kosova ka nevojë për stabilitet institucional, siç është shprehur, “veçmas në këtë kohë të trazuar nga zhvillimet gjeopolitike”. 

Kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, do të takohen sërish sot nga ora 11:00 në ambientet e Kuvendit për çështjen e zgjedhjes së presidentit. Ky takim i paralajmëruar është i pesti me radhë midis tyre në funksion të kësaj çështjeje.