Deputeti demokrat, Belind Këlliçi theksoi se në Kuvend do të duhej që të flisnin për skandalin e AKSHI-t, teksa së fundmi, SPAK iu sekuestroi disa prej të pandehurve, ish drejtueses Mirlinda Karçanaj dhe dy biznesmenëve Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri pasuri që kalojnë shifrën e mbi 40 milionë eurove.
Ai kritikoi qeverinë duke theksuar se flet për arritje imagjinare, ndërsa i referohej deklaratës të bërë më herët në Kuvend nga kreu i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla që fliste për procesin e integrimit në BE.
Po ashtu, ai theksoi se sot në Kuvend do të duhej që të flisnin për skandalin e AKSHI-t, ndërsa ironizoi teksa tha se ish drejtuesja Mirlinda Karçanaj, që kryeministri Edi Rama e mbrojti publikisht dhe tha se jeton me qira, rezultoi, siç ka dokumentuar SPAK, se kishte 4 vila dhe trualle si edhe shofer personal.
“Krenoheni që bëni punë. Keni shembull të freskët nga Greqia, ku 13 deputetë iu hoq imuniteti në parlamentin grek për shkak se dyshohet të përfshirë në afera korruptive. Para pak u fol në foltore nga kreu i grupit tuaj parlamentar për arritje imagjinare. Shqipëria për pak se jemi vend anëtar i BE. Po këta janë mashtrime skandaloze.
Duhet përgjegjësi e madhe të gënjesh në këtë formë. Si flet është kthyer Shqipëria në vendin kyç të pastrimit të parave. Parafolësi që foli për integrimin e Shqipërisë harron që vetëm dje foli komisionerja për zgjerim, përmendi vetëm Malin e Zi. Shqipëria nuk përmendet më. Nuk mund të gënjejmë qytetarët.
Duhet të flisnim për AKSHI-n, kryeministri ka bërë avokatinë e Mirlinda Karçanajt, ka thënë është e pastrehë , nuk di t’i japë makinë e nuk ka makinë. Doli zonja në fjalë me 4 vila shofer privat e dhjetëramijëra metra truall në pronësi. A mban njeri përgjegjësi për këto.”, tha Këlliçi.







