Ballina Aktualitet Dosje e nxehtë në GJKKO/ Romeo Kara çon në gjykatë Tedi Blushi...

Dosje e nxehtë në GJKKO/ Romeo Kara çon në gjykatë Tedi Blushi për shpifje dhe fyerje

72
0

Hekuri rrihet sa eshte i nxehte.
Sapo depozitova kerkese padine e meposhtme, si pergjigjen me te merituar karshi histerise se bidocpuarve, qe guxojne te mendojne se une do mund te intimidohem prej tyre, terhiqem apo heq dore nga presioni i se keqes apo do te lodhem se qendruari perballe tyre.
Jam perballe kujtdo hajduti e krimineli, sot e sa te kem jete.
Me Zotin para nata e padrejtesise do t’a kete shpejt fundin e saj dhe drejtesia do te fitoje!

KËRKESË PËR GJYKIM

Përpara: Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) në adresën: Rruga “Jordan Misja”, 1057, Tiranë

Objekti: Kërkesë për Gjykim lidhur me veprat penale të fyerjes dhe shpifjes publike të kryer nga deputeti i Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë, Tedi Blushi.

I dëmtuari akuzues: Romeo Kara, i biri i Dhimitrit dhe i Ilirijes, lindur në Tirane me profesion avokat me nr. Liçense … dhe gazetar me nr. Liçense…punësuar pranë OSHEE Group Tiranë, me status i martuar dhe me tre fëmijë.

I akuzuar: Tedi Blushi, i lindur më 30 Shtator të vitit 1984, vendlindja Korçë dhe aktualisht deputet i Kuvendit Popullor dhe Sekretar i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë me adresë Rruga Sami Frashëri, Godina 20/10 Tiranë.

Akuzuar: Per veprat penale te fyerjes dhe shpifjes, te parashikuara nga nenet 119/2 dhe 120/2 te Kodit Penal te Republikës së Shqipërisë.

Baza Ligjore: Kushtetuta e Shqipërisë (neni 73), Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë (nenet 119/2, 120/2), dhe Kodi i Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë (nenet 58, 59, 75/b e më tej).

Rrethanat e faktit

E nderuar Gjykatë,

Unë, Romeo Kara, me profesion jurist dhe gazetar, paraqes këtë Kërkesë për Gjykim përkundrejt shtetasit Tedi Blushi, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, për deklarata publike fyese, shpifëse dhe denigruese në ekstrem ndaj meje, të dhëna në mënyrë publike dhe me qëllim të qartë për të dëmtuar figurën dhe kredibilitetin tim.

Më datë 24 prill 2026, në një konferencë për shtyp të mbajtur në selinë e PL, ka adresuar në drejtim të personit tim akuza tejet të rënda denigruese dhe me qëllim të qartë dhe pa ekuivok pikërisht atë të denigrimit tim përballë opinionit publik shqiptar dhe huaj, duke me etiketuar mua me probleme të shendetit mendor, gjobaxhi, dhunues dhe të dënuar dy herë nga gjykata për dhunë në familje, patronazhist dhe vegël të Edi Ramës.

Unë, në vitin 2017, kam kallëzuar penalisht shtetasin Ilir Meta në lidhje me çështjen e njohur si “CEZ-DIA”, duke marrë kështu rolin e kallëzuesit dhe duke qenë njëkohësisht person me dijeni për rrethana me interes për procedimin penal (dëshmitar).
Kjo çështje aktualisht ndodhet në gjykim dhe është caktuar zhvillimi i seancës së parë më datë 27 prill 2026.
Në datën 24 prill 2026, i akuzuari ka zhvilluar një konferencë për shtyp, gjatë së cilës ka bërë deklarata publike ndaj meje, duke më etiketuar si: “dhunues”, “i çmendur”, “patronazhist”, “gjobaxhi” etj.
Më ka etiketuar si të dënuar për dhunë, duke servirur një vendim të gjykates së shkalles së parë Tiranë, ndërkohë që bazuar në nenin 30 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe nenin 420 të Kodit të Procesurës Penale të Republikës së Shqipërisë i dënuar konsiderohet ai që është dënuar me formë të prerë nga gjykata.
Edhe pse i akuzuari ka treguar qartë se ka pasur akses të pakufishëm në informacione shumë sensitive, ai ka keqpërdorur një vendim gjykate pa dashur tja dijë se unë nuk jam ligjërisht i dënuar dhe Gjykata e Apelit së bashku me Gjykatën e Larte e kanë rrëzuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë.
Më ka konsideruar gjobaxhi pa asnje fakt e provë në lidhje me Kastriot Ismailajn, ndërkohe që vetë Ismailaj nuk ka guxuar t’a bëjë një gjë të tillë kur e kam pasur përballe ne sencë gjyqësore ku unë kam dëshmuar kundër tij dhe kam ndikuar që ai të dënohet me 11 vite burgim.
Më ka konsideruar patronazhist vetëm për faktin që punoj si Expert Ligjor pranë OSHEE.
Më ka etiketuar disa herë si të sëmurë mendor, pa ofruar asnjë diagnostifikim ligjor lidhur përsa më sipër.
Këto deklarata:
• janë të pavërteta dhe të pabazuara në fakte;
• cenojnë rëndë nderin, dinjitetin dhe reputacionin e tim;
• janë bërë publikisht me qëllim të qartë denigrimi.
Veçanërisht, këto deklarata marrin një gravitet të shtuar për shkak se me drejtohen mua si një person që ka rolin e kallëzuesit dhe dëshmitarit në një proces penal në zhvillim, duke synuar diskreditimin e tim përpara opinionit publik dhe duke cenuar besueshmërinë e time në raport me drejtësinë.
Deklaratat janë bërë në një moment të ndjeshëm, pak ditë përpara zhvillimit të një seance gjyqësore, çka rrit ndikimin negativ dhe pasojat dëmtuese ndaj figurës dhe integritetit tim.

I akuzuari me vetëdije ka shkelur Kushtetutën e Shqipërise (Nenin 30 të saj) duke me quajtur një dhunues të dënuar nga gjykata, ndërkohe që sipas saj dhe KPrP i dënuar konsiderohesh nese je denuar me forme te prere gje qe nuk eshte aspak e vertete pasi Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Larte e kane vulosur pafajesine time.

Deklaratat e sipërcituara përmbushin elementët e veprat penale të fyerjes dhe shpifjes, te cilat në rrethanat kur kryhen nga një funksionar i lartë publik si deputeti, mbesin ende te ndëshkueshme penalisht dhe bejne pjesë në juridiksionin e Gjykatës së Posaçme.

ARSYETIMI LIGJOR
Duke qënë se i akuzuari Tedi Blushi është Deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, në zbatim të nenit 73 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe Kodit të Procedurës Penale, GJKKO ka juridiksion fillestar për gjykimin e akuzave penale kundër një kategorie të caktuar personash që ushtrojnë funksione të rëndësishme Kushtetuese, midis tyre edhe deputetët (kur janë në funksione në kohën e gjykimit), sikurse është personi të cilit i atribuohet vepra penale.

Neni 119 i Kodit Penal parashikon:
“Fyerja e qëllimshme e personit përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në një milion lekë.
Po kjo vepër, kur kryhet botërisht, në dëm të disa personave ose më shumë se një herë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në tre milionë lekë”.

Objekt i kundërvajtjes penale të fyerjes, janë marrëdhëniet juridike të vendosura për të siguruar ndjenjën e dinjitetit të personit, i mbrojtur posaçërisht me legjislacionin penal nga veprimet ose mosveprimet kriminale.
Nga ana objektive, kundërvajtja penale e fyerjes kryhet me gojë ose me shkrim, me përdorimin e fjalëve fyese poshtëruese, amorale, të epiteteve tallëse, me veprime e gjeste poshtëruese.
Në rastin konkret nga ana e deputetit Tedi Blushi janë përdorur fjalë fyese, poshtëruese ndaj meje si: një person pa dinjitet, dhunues, gjobaxhi, me probleme me shendetin mendor, vegel dhe patronazhist vetem sepse jam i punesuar ne sektorin publik etj, duke cënuar mjaft rëndë dinjitetin tim dhe vlerësimin që opinioni shoqëror brenda dhe jashtë vendit ka për mua.
E gjitha kjo, vetëm sepse pata kurajon qytetare të kallëzoj një nga aferat e ishpresidentit Meta.

Subjekt i veprave penale të fyerjes dhe të shpifjes mund të jetë çdo person që ka mbushur moshën për përgjegjësi penale dhe është i përgjegjshëm.
Nga ana subjektive, fyerja kryhet gjithmonë me dashje të drejtëpërdrejtë dhe me qëllim për të cënuar e poshtëruar, fyer ndjenjën e dinjitetin e personit, ajo mund dhe eshte e paramenduar.

Neni 120 i Kodit Penal parashikon:
“Përhapja e qëllimshme e thënieve, si dhe çdo informacioni tjetër, duke e ditur se janë të rreme, që cënojnë nderin dhe dinjitetin e personit, përbën kundravajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në një milion e pesëdhjetë mijë lekë.
Po kjo vepër, kur kryhet botërisht, në dëm të disa personave ose më shumë se një herë, përbën kundravajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në tre milionë lekë.”
Objekti i veprës penale të shpifjes, të parashikuar nga neni 120 i K.Penal janë marrëdhëniet juridike të vendosura për të mbrojtur nderin dhe dinjitetin e personit, emrin e mirë apo reputacionin e personit juridik, në kuadër të vlerësimit që ai gëzon në opinionin shoqëror.
-Vepra penale e shpifjes kryhet me veprime të drejtëpërdrejta që konsistojnë në përhapjen e thënieve ose çdo informacioni tjetër;
-Thëniet apo informacioni i përhapur të jetë i rremë, çka nënkupton se objektivisht ky informacion të jetë i rremë, por edhe subjektivisht, personi që i përhap ato ta dijë se janë të rreme. Thëniet apo informacioni i përhapur të jenë konkrete;
Thëniet apo informacioni i përhapur të jenë diskretituese, të cënojnë ndjenjën e dinjitetit të personit dhe opinionin publik për të.
Nga ana subjektive, kjo vepër kryhet me dashje direkte dhe me qëllimin e posaçëm për të poshtëruar, cënuar ndjenjën e dinjitetit të personit apo emrin e reputacionin e personit juridik, opinionin publik për të (shpifja).
Që vepra të konsiderohet e kryer, duhet të përmbushen këto kushte:
(i) shpifja të kryhet me përhapjen e thënieve dhe/ose çdo informacioni tjetër;
(ii) thëniet dhe/ose informacioni tjetër të jenë të rreme;
(iii) thëniet dhe/ose informacioni tjetër të dihen që janë të rreme;
(iv) thëniet dhe/ose informacioni tjetër të jenë konkrete;
(v) thëniet dhe/ose informacioni tjetër të jenë diskredituese, d.m.th. që cenojnë nderin dhe dinjitetin e personit;
(vi) thëniet që përhapen, të cilat janë të rreme, konkrete e diskretituese, të dihen nga autori i veprës penale që janë të tilla, si dhe
(vii) të ekzistojë qëllimi konkret dhe i adresuar, d.m.th. se me përhapjen e thënieve që dihen se janë të rreme do të diskretitohet/hen persona konkretë.
Kushti kryesor për ekzistencën e shpifjes është që faktet, pohimet, të cilat nxirren apo përhapen, duhet të jenë të pavërteta dhe të jenë të natyrës së tillë që të mund ta dëmtojnë nderin, emrin e mirë dhe reputacionin tim.

Ligji nr. 98/2016, që i jep GJKKO-së kompetencën për të gjykuar veprat penale të kryera nga deputetë dhe funksionarë të tjerë të lartë dhe mbështetet plotësisht edhe nga Neni 75/a i Kodit të Procedurës Penale, për ndjekjen penale të funksionarëve të lartë.

PASOJAT NDAJ MEJE
Keto deklarata fyese dhe shpifëse më kane shkaktuar dëme të mëdha si në aspektin personal ashtu dhe profesional.
Dëmet që më janë shkaktuar përfshijnë, por, nuk kufizohen në:

– Cënim të figurës publike si qytetar dhe individ i angazhuar për të luftuar korrupsionin.

– Dëmtim moral dhe psikologjik, duke më paraqitur si një person të korruptuar dhe të manipuluar, çka ka ndikuar dhe padyshim që do të vazhdojë të ndikojë në besueshmërinë time si qytetar, avokat dhe gazetar dhe për më tepër të realizojë një diskreditim të qëllimshëm të veprimeve të mia ligjore dhe kallëzimeve që kam bërë, përfshirë ato në lidhje me Ilir Metën dhe aferën DIA-CEZ.

Baza ligjore
Veprimet e të paditurit përbëjnë elementët e veprave penale të parashikuara nga Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë:
• Neni 119 – Fyerja
• Neni 120 – Shpifja
Këto vepra ndiqen me kërkesë të viktimës akuzuese.

KERKOJ:
1. Pranimin e kësaj kërkesë–padie;
2. Deklarimin fajtor të të akuzuarit për veprat penale të fyerjes dhe shpifjes;
3. Dënimin e tij sipas ligjit penal;
4. Detyrimin për përgënjeshtrim publik;
5. Detyrimin për shpërblimin e dëmit moral në një masë që Gjykata e çmon të drejtë.

Provat
• Regjistrimi video i konferencës për shtyp;
• Publikime në media;
• Çdo provë tjetër që do të paraqitet gjatë gjykimit.

Me respekt,
I dëmtuari akuzues
Av. Romeo Kara

Data: 25.04.2026