Ballina Bota Gjendet një trup i pajetë në Australi/ Dyshohet se i përket 5-vjeçares...

Gjendet një trup i pajetë në Australi/ Dyshohet se i përket 5-vjeçares së zhdukur

73
0

Policia në Territorin Verior të Australisë ka deklaruar se beson që një vajzë 5-vjeçare e zhdukur prej disa ditësh është vrarë, ndërsa një trup i gjetur në zonën e Outback po i nënshtrohet testeve mjeko-ligjore për të konfirmuar identitetin e saj.

Vajza, e identifikuar nga autoritetet Kumanjayi Little Baby, u pa për herë të fundit të shtunën në mbrëmje, kur ishte vënë në shtrat në një kamp pranë Alice Springs.

Policia tha se trupi i një fëmije u gjet të enjten në një zonë të shkurreve dhe shkretëtirës, ndërsa hetimet po vijojnë për të konfirmuar nëse bëhet fjalë për të miturën e zhdukur.

Autoritetet po kërkojnë gjithashtu një person të dyshuar, Jefferson Lewis, i cili sipas policisë u lirua nga burgu pak ditë para zhdukjes së vajzës dhe dyshohet se është parë me të në orët e vona të natës kur ajo u zhduk.

“Ne besojmë se ai e ka vrarë këtë fëmijë,” deklaroi kreu i hetimit Peter Malley, duke shtuar se operacioni për kapjen e të dyshuarit vijon intensivisht.

Sipas hetuesve, provat e mbledhura në vendngjarje përfshijnë edhe mostra ADN-je, të cilat po analizohen në kuadër të hetimeve.

Nëna e vajzës ka reaguar me një deklaratë, duke shprehur dhimbjen për humbjen e së bijës dhe duke falënderuar forcat e kërkimit dhe vullnetarët që u angazhuan në operacion.

Autoritetet australiane thonë se kërkimet për të dyshuarin vazhdojnë, ndërsa hetimi po konsiderohet si një nga rastet më të rënda të kohëve të fundit në zonë.