Ballina Sport Tifozët e Unitedit po planifikojnë që ta nderojnë Diogo Jotan në ndeshjen...

Tifozët e Unitedit po planifikojnë që ta nderojnë Diogo Jotan në ndeshjen ndaj Liverpoolit

81
0

Tifozëve të Manchester Unitedit u është bërë thirrje që të bashkohen me tifozët e rivalëve të përjetshëm Liverpoolit në një duartrokitje njëminutëshe në nder të të ndjerit Diogo Jota.

United do të presë Liverpoolin në “Old Trafford” të dielën, në një ndeshje që mbetet më e madhja në futbollin anglez dhe zakonisht luhet në një atmosferë rivaliteti të fortë.

Megjithatë, tifozët e Unitedit po inkurajohen që për 60 sekonda të lënë mënjanë rivalitetin dhe t’i bashkohen pjesës së tifozëve mysafirë në duartrokitje në minutën e 20-të – në një homazh simbolik për numrin që Jota mbante.

Diogo Jota dhe vëllai i tij André Silva humbën jetën në një aksident me makinë në Spanjë verën e kaluar, teksa po udhëtonin për të kapur një traget dhe për t’u kthyer te Liverpooli për përgatitjet parasezonale.

Lajmi shkaktoi reagim të madh dhe dhimbje në mbarë botën e futbollit.

Pas tragjedisë, ish-trajneri i Unitedit Ruben Amorim, kapiteni Bruno Fernandes dhe Diogo Dalot vendosën kurora me lule në “Anfield” në shenjë respekti.

Tifozët e Liverpoolit kishin treguar gjithashtu respekt në vitin 2022 kur duartrokitën Cristiano Ronaldo në një ndeshje, pas humbjes tragjike të një prej binjakëve të tij të porsalindur.

Propozimi për homazhin aktual është dërguar te “Manchester United Supporters’ Trust” dhe disa lojtarë të Unitedit janë njoftuar për iniciativën.

Klubi është informuar gjithashtu, duke theksuar se çdo homazh duhet të vijë si iniciativë e tifozëve.

Diogo Jota mbetet në kujtesën e tifozëve si një lojtar i dashur dhe momentet e mëparshme të respektit mes dy klubeve janë përmendur si shembull i “fair playt” përtej rivalitetit.