Ballina Kulturë Gonxhja: Kalaja e Borshit ka potencial të madh për turizëm kulturor

Gonxhja: Kalaja e Borshit ka potencial të madh për turizëm kulturor

56
0

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Blendi Gonxhja ka inspektuar nga afër ecurinë e punimeve restauruese në Kalanë e Borshit, ku prej disa muajsh po zhvillohet një ndërhyrje e gjerë për ruajtjen dhe rijetëzimin e këtij monumenti historik.

Punimet janë fokusuar në përforcimin e masivit shkëmbor mbi të cilin ngrihet xhamia e kalasë, stabilizimin e shpatit për rritjen e sigurisë së vizitorëve, si dhe përmirësimin e rrugës hyrëse për të garantuar akses më të lehtë. Një tjetër komponent i rëndësishëm i projektit është stabilizimi strukturor i vetë kalasë, përfshirë restaurimin e mureve, bedenave dhe ndërhyrjet konservuese në xhami, ku po punohet për muraturën, elementët e dëmtuar dhe pikturat murale, duke ruajtur autenticitetin historik.

Gjatë procesit të pastrimit të territorit nga bimësia dhe rrënojat, janë zbuluar edhe elementë të rinj me vlerë të veçantë historike, si stera për mbledhjen e ujit të shiut, gjurmë ndërhyrjesh të fillimit të shekullit XX dhe struktura më të hershme, që pasurojnë historinë e sitit dhe rrisin potencialin e tij si destinacion turistik.

Projekti po zbatohet nga Cultural Heritage without Borders Albania dhe monitorohet nga DRTK Vlorë, me financim nga Banka Botërore përmes Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në bashkëpunim me IKTK.