Ngjarja e ndodhur në Golem nuk është thjesht një episod i rëndë dhune. Është një alarm i hapur për mënyrën se si po funksionon shteti dhe institucionet që duhet të mbrojnë qytetarët.
Pamjet ku një e moshuar dhunohet dhe më pas shoqërohet nga policia, ndërkohë që agresorët mbeten të lirë, përbëjnë një përmbysje të frikshme të rendit ligjor. Në vend që forcat e rendit të ndalojnë dhunën dhe të vendosin drejtësinë, ato shfaqen si faktor presioni mbi viktimën. Ky nuk është më thjesht dështim institucional është dyshim serioz për abuzim me pushtetin.
Partia “Mundësia” e konsideron këtë ngjarje thellësisht shqetësuese dhe të papranueshme në një shtet që pretendon të funksionojë mbi bazën e ligjit dhe të drejtave të njeriut. Kur një qytetare e pambrojtur bie pa ndjenja përballë uniformave të shtetit, kemi të bëjmë me një krizë të rëndë besimi publik.
I bëjmë thirrje të menjëhershme Prokuroria e Durrësit që të nisë pa vonesë hetim të plotë dhe transparent për këtë rast:
•Të identifikohen dhe procedohen penalisht autorët e dhunës.
•Të hetohet roli dhe veprimet e çdo efektivi policie të pranishëm.
•Të verifikohet çdo urdhër i dhënë në terren dhe zinxhiri i përgjegjësisë.
•Të garantohet që asnjë individ, pavarësisht funksionit apo lidhjeve, të mos jetë mbi ligjin.
Gjithashtu, kërkojmë që Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (ish-SHÇBA) të angazhohet menjëherë për të hetuar në mënyrë të pavarur sjelljen e punonjësve të policisë në këtë rast.
Heshtja përballë një ngjarjeje të tillë nuk është neutralitet është bashkëfajësi. Çdo vonesë në reagim vetëm sa thellon dyshimet për kapje të institucioneve dhe mungesë vullneti për drejtësi.
Ky nuk është më një rast individual. Është një provë për shtetin.
Nëse sot nuk reagohet me forcën e ligjit, nesër askush nuk do të ketë garanci se do të mbrohet nga dhuna dhe padrejtësia.
Klevis Elezi
Anëtar i Kryesisë
Partia Mundësia







