Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin Linz, ku tre persona kanë humbur jetën pas një incidenti me armë zjarri, në të cilin një burrë dyshohet se ka qëlluar dy gra dhe më pas veten.
Sipas policisë së Austrisë së Epërme, të cituar nga transmetuesi ORF, në vendngjarje janë gjetur të vdekur një burrë dhe dy gra. Autoritetet kanë deklaruar se aktualisht nuk mund të japin detaje të plota mbi motivin apo identitetin e viktimave.
Zëdhënësja e policisë, Ulrike Handlbauer, tha se hetimet janë në vijim dhe se rrethanat e ngjarjes po sqarohen.
Ndërkohë, mediat lokale raportojnë se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur jashtë një biznesi gastronomik, ku një burrë i moshuar ka hapur zjarr ndaj dy grave dhe më pas ka qëlluar edhe veten.
Autoritetet austriake kanë bërë të ditur gjithashtu se rreziku për publikun është neutralizuar dhe situata nuk paraqet më kërcënim.
Linz është një nga qytetet më të mëdha të Austrisë, me mbi 200 mijë banorë, i vendosur përgjatë lumit Danub, midis Salzburgut dhe Vjenës.







