Ballina Europë EMRI/ Nën efektin e kokainës dhe alkoolit, shqiptari akuzohet për vrasje pasi...

EMRI/ Nën efektin e kokainës dhe alkoolit, shqiptari akuzohet për vrasje pasi aksidentoi italianin

78
0

Është rënduar pozita e 52-vjeçarit shqiptar të akuzuar se përplasi për vdekje Gaetano Martonen, 69 vjeç, më 27 prill në Castel d’Aiano, dhe më pas u largua pa i dhënë ndihmë. Karabinierët e kanë denoncuar gjithashtu shqiptarin edhe për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit dhe lëndëve narkotike. Shoferi, i cili ndodhet tashmë në arrest shtëpie për vrasje në rrugë, largim nga vendi i ngjarjes dhe mosdhënie ndihme, rezultoi pozitiv si për alkool ashtu edhe për  metabolit të kokainës pas analizave toksikologjike.

Tragjedia ndodhi pasditen e 27 prillit, rreth orës 18:30, në në Apeninet e Bolonjës. Sipas rindërtimit të ngjarjes nga karabinierët, një automobilist kishte përplasur një këmbësor dhe më pas ishte larguar pa u ndalur. Kur mbërritën forcat e rendit, këmbësori – i identifikuar si Gaetano Martone, 69 vjeç– kishte ndërruar jetë.

Gjatë kërkimeve, karabinierët gjetën rreth 500 metra larg vendit të përplasjes një Mercedes-Benz GLC 250 të ndaluar dhe të dëmtuar rëndë në pjesën e përparme. Makina kishte shenja të pajtueshme me aksidentin: xham të përparmë të thyer me gjurmë gjaku, airbag të hapur dhe dëmtime të dukshme në karroceri. Pronari i automjetit, një 52-vjeçar shqiptar, ndodhej pranë vendit dhe u identifikua menjëherë nga karabinierët. Burri pranoi vetëm se kishte dalë nga rruga, por mohoi se kishte përplasur 69-vjeçarin.

I ftuar t’i nënshtrohej testit të alkoolit, drejtuesi i mjetit refuzoi. Megjithatë, ai pranoi të shoqërohej nga karabinierët në një strukturë shëndetësore për të bërë analizë gjaku. Ekzaminimi toksikologjik-ligjor, i kryer nga laboratori i mjekësisë transfuzionale, konfirmoi më pas praninë e alkoolit dhe të një metaboliti të kokainës. Niveli i alkoolit në gjak rezultoi 2.0 gramë për litër, katër herë mbi kufirin e lejuar me ligj.

Në dritën e rezultateve, ndaj 52-vjeçarit është bërë një kallëzim i ri në Prokurorinë e Bolonjës edhe për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe nën efektin e substancave narkotike.

Mbeten tashmë në fuqi akuzat më të rënda për vrasje rrugore, largim nga vendi i ngjarjes dhe mosdhënie ndihme, për të cilat ai ishte arrestuar menjëherë pas ngjarjes dhe vendosur në arrest shtëpie. Trupi i pajetë i Gaetano Martones iu dorëzua familjarëve, ndërsa Mercedes-i u sekuestrua për hetime të mëtejshme. Hetimet vazhdojnë për të përcaktuar me hollësi përgjegjësitë dhe tablonë e plotë të tragjedisë që tronditi komunitetin.