Si pasojë e këtij infeksioni trupa veterinare asgjësoi 2200 krerë dele dhe dhi. Qeveria miratoi një fond prej 53.3 milionë lekësh për blegtorët që murtaja iu boshatisi stallën. Nëse shohim projektvendimin masa e dëmshpërblimit nuk do të jetë e njëjtë për të gjithë njerëzit që mbarështojnë kafshë. Është raca dhe mosha e bagëtisë ajo që përcakton vlerën e financimit.
“Në fakt institucionet e ministrisë llogaritën vlerën sipas kategorive të ndryshme të kafshëve. Pagesa për dëmshpërblim nis prej 15000-27000 në varësi të moshës, racës dhe gjendjes së tufës që ka pas blegtori”, tha Tana Kika, zv/ministre e bujqësisë dhe zhvillimit rural.
Në ditën e saj të parë të punës si zv\ministre e bujqësisë, Kika u pyet edhe se kur do të dëmshpërblehen fermerët që u përmbytën përgjatë muajve nëntor-janar, dhe ajo që mësuam është se fermerët që uji iu mori të mbjellat duhet të kenë durim të presin derisa qeveria të vendosë për mënyrën e rimbursimit.
“Patjetër që ne kemi përfunduar inventarizimin dhe i kemi dërguan në Ministrinë e Financave që është dhe zbatuesja dhe hartuesja e VKM-së për dëmshpërblimet”, tha ajo.
Për fat të keq sëmundja e murtajës është rikthyer sërish në fermat blegtorale, deri më tani ky infeksion është prezent në dy vatra një në Bulqizë dhe tjera në Peqin.







