Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon të mos dorëzojë në Prokurorinë e Tiranës rezultatet dhe dokumentacionin lidhur me helmimin e studentëve të Akademisë së Sigurisë. Sipas raportimeve, organi i akuzës i ka përcjellë AKU-së edhe një kërkesë të mëparshme, por ende nuk ka marrë përgjigje.
Grupi hetimor kërkon të verifikojë nëse institucioni ka kryer më herët kontrolle dhe gjurmueshmëri për produktet ushqimore që konsumoheshin në akademi, si dhe cilat kanë qenë rezultatet e tyre. Ndërkohë, prokuroria pret edhe akt-ekspertizën zyrtare nga Mjekësia Ligjore për të zbardhur plotësisht shkaqet e helmimit.
Një ditë më parë, më 14 maj, AKU bëri të ditur se analizat laboratorike kanë zbuluar praninë e bakterit Escherichia coli dhe stafilokokut në mostrat e makaronave të marra në kuzhinën e Akademisë së Sigurisë në Sauk.
“Nga laboratori i Referencës ISUV informohemi se 8 mostra të kampionuara kanë dalë brenda normave dhe një kampion makarona produkt i gatshëm ka rezultuar jokonform për ngarkesë mbi normë Escherichia coli dhe B staphylococcus koagulaze pozitive”, thuhej në njoftimin e AKU-së.
Pas këtyre konstatimeve, AKU urdhëroi pezullimin e aktivitetit të subjektit SORI-AL deri në përmbushjen e kushteve ligjore për pastrimin dhe dezinfektimin e ambienteve dhe pajisjeve të punës.
Nga helmimi i ushqimit të kontaminuar përfunduan në repartin Infektiv të QSUT-së 56 studentë të Akademisë së Sigurisë. Në vijim të hetimeve, policia arrestoi një 52-vjeçar me detyrë kuzhinier dhe një 23-vjeçare teknologe të kompanisë që furnizonte ushqimin. Administratorja e kompanisë është shpallur në kërkim, ndërsa një tjetër teknologe po hetohet në gjendje të lirë.







