Ballina Opinion Konsensusi i rremë europian dhe pazari i madh i politikës shqiptare

Konsensusi i rremë europian dhe pazari i madh i politikës shqiptare

46
0

Rezoluta e përbashkët e prezantuar dje dhe e votuar unanimisht në Kuvend është një ngjarje që meriton të komentohet. Pas muajsh sherresh banale, arrogance nga mazhoranca, cic-micesh opozitare, protestash rutinë dhe sulmesh sistemike ndaj drejtësisë nga të dyja palët, parlamenti befas votoi unanimisht. Të gjithë ngritën dorën. Socialistë, demokratë, të mëdhenj e të vegjël — të gjithë pro. Kamera e fiksoi momentin dhe titujt e lajmeve i shihni në çdo media apo portal.

Moment historik? Pjekuri politike përballë një çështjeje që, teorikisht, bashkon të gjithë shqiptarët? Provë se më në fund jemi europianizuar?

Pyetje legjitime këto, sepse të bashkosh votën dhe vullnetin me kundërshtarin, me hasmin, madje me armikun që ke ndërtuar vetë për vite të tëra, është forma më e rëndë e tradhtisë ndaj vetes dhe atyre që të besojnë. Vetëm një interes më i madh se vetë mbijetesa politike mund ta justifikojë një “harakiri” të tillë.

Ose… e gjitha është thjesht tallje me ne shqiptarët mu para syve tanë.

Para se ta lexojmë këtë si “moment historik” apo si shenjë të një kulture të re politike, duhet bërë pyetja e vetme që ka rëndësi në analizën politike: çfarë i kushtoi kujt? Sepse politika nuk matet me fjalë. Matet me sakrificë. Vetëm nëse kuptojmë çfarë sakrifikoi secila palë, mund t’u japim përgjigje pyetjeve të mësipërme. Sa më e dhimbshme sakrifica, sa më i madh haraçi publik dhe kostoja elektorale, aq më historik është momenti dhe aq më e lartë pjekuria politike.

Por, para se të flasim për sakrificën, duhet pranuar justifikimi: integrimi europian. Dhe integrimi europian është ndoshta i vetmi territor politik në Shqipëri ku konflikti — të paktën në dukje — është i ndaluar. Jo nga ligji, por nga logjika elektorale. Edhe për shkak të nostalgjisë së izolimit ekstrem që ky popull ka përjetuar. Asnjë parti, majtas apo djathtas, nuk mund të dalë ende publikisht kundër BE-së pa paguar një çmim të papërballueshëm politik.

Por nëse kjo nostalgji nuk është testuar realisht në kushtet e sotme, orientimi euro-atlantik prej kohësh është transformuar nga një aspiratë publike në një retorikë hipokrite dhe një alibi legjitimiteti. Ky transformim ka ndodhur para syve tanë. Me pafuqinë tonë e kemi pranuar në heshtje, duke mbajtur thellë në stomak ndjesinë e zhgënjimit. Aq sa aspirata jonë europiane na është reduktuar thjesht te mundësia për të kaluar kufirin pa na kthyer mbrapsht si dikur. Asgjë më shumë.

Prandaj vota unanime për integrimin nuk dëshmon bashkim vizionesh. Dëshmon vetëm se askush, për momentin, nuk ka interes të jetë ai që fotografohet me flamurin antieuropian mbi kokë. Edhe pse sjellja reale e tyre rëndom është e tillë. Ajo që ndodhi sot është një konsensus formal dhe hipokrit mbi një parim abstrakt, jo mbi rrugën, standardet dhe përgjegjësitë që kërkon ai parim.

Le ta pranojmë: flamuri i zbehtë i europianizmit që valëvisin PS dhe PD është rreckosur prej kohësh. Por ky nuk është thelbi. Atë flamur e mbajnë për sytë e ndërkombëtarëve. Çështja reale është bashkimi i votave si akt politik dhe mënyra sesi ky akt perceptohet nga njerëzit që prej dekadash janë ushqyer me konfliktin e këtyre aktorëve — konflikt që sot u zëvendësua papritur me një shfaqje konsensusi të pështirë.

Nëse e vendosim këtë episod në sfondin e viteve të fundit, pamja bëhet shumë më e qartë. Pas bojkotesh, retorike radikale dhe krizash institucionale të stisura me kujdes skenik, është bërë gjithnjë e më evidente se dy polet tradicionale të sistemit shqiptar janë, në thelb, funksionalisht të ndërvarura.

Konflikti i tyre publik është shpesh instrument mobilizimi elektoral, jo antagonizëm real sistemik. Kur preken ekuilibrat e duopolit, rregullat e lojës, ndarja e hapësirave institucionale, kontrolli i sistemit — palët arrijnë të koordinohen me një lehtësi që nuk e tregojnë kurrë kur diskutohen reforma që prekin interesin publik. Edhe votimi unanim i sotëm mund të lexohet si pjesë e kësaj logjike. Jo si akt pjekurie, por si akt mirëkuptimi strukturor. Pazar do të thoshte dikush.

Sigurisht, ekziston edhe një dimension i jashtëm. Ndoshta i vetmi element strategjikisht i vetëdijshëm i gjithë episodit. Procesi i zgjerimit të BE-së po hyn në një fazë më konkrete për Ballkanin Perëndimor. Në këtë kontekst, një votim unanim në Kuvend funksionon si mesazh institucional ndaj partnerëve europianë: pavarësisht grindjeve të brendshme, klasa politike shqiptare mbetet e unifikuar në orientim.

Është një sinjal diplomatikisht i dobishëm. Por i kufizuar dhe potencialisht mashtrues.

Sepse Brukseli, kur analizon seriozisht, nuk mat rezoluta unanime. Mat reformën në drejtësi, standardet zgjedhore, funksionimin e institucioneve të pavarura, luftën kundër kapjes së shtetit. Pikërisht aty, uniteti i sotëm tretet menjëherë.

Rreziku real është? Ky “unitet” mund të funksionojë si një mbulesë diplomatike, që i jep klasës politike kohë dhe hapësirë të shtyjë reformat reale, ndërkohë që shet një fasadë të prerë me gërshërë për konsum ndërkombëtar.

Të rikthehemi te testi i sinqeritetit: çfarë sakrifikuan palët dje?

Për Edi Rama, ky votim prodhon kapital ndërkombëtar: imazhin e liderit të qëndrueshëm dhe të një shteti me kurs të pandryshueshëm europian. Për Sali Berisha dhe kampin e tij, vota ka funksion tjetër: shmangien e narrativës së izolimit. Pas viteve me probleme legjitimiteti ndërkombëtar, opozita ka interes të mos perceptohet si faktor destabilizues apo bllokues. Vota “pro” shërben për të thënë: jemi europianë, jemi konstruktivë.

Kur të dyja palët fitojnë reciprokisht reputacion (aq më shumë thjesht për fasadë) dhe askush nuk humbet asgjë, është e vështirë ta quash këtë akt altruizmi institucional, moment historik apo pjekuri prej qytetërimi perëndimor.

Sinqeriteti provohet aty ku preken interesat reale. Te reforma zgjedhore që kufizon pushtetin e kryetarëve dhe hap sistemin politik. Te decentralizimi real i pushtetit vendor. Te depolitizimi i administratës zgjedhore. Te transparenca e financimit politik. Te konkurrenca e brendshme partiake. Te kufizimi i kapjes institucionale. Te llogaridhënia publike dhe morali publik. Te mbështetja reale ndaj drejtësisë dhe vetëpërmbajtja politike përballë saj.

Pikërisht aty konsensusi mungon. Shpërbëhet. Ose deformohet në pazare të errëta.

Dhe prova e thjeshtë u dha edhe dje.

Asnjëra palë nuk propozoi heqjen reale të pengesave të ngritura ndaj drejtësisë. Kjo legjislaturë ka prodhuar një praktikë të panjohur më parë: mosheqjen e imuniteteve për deputetë e ministra. Një çështje thelbësore (test kritik politik) për integrimin europian. Nëse vërtet donin të ndryshonin rregullat e Kuvendit, mund të kishin vendosur mekanizma që të mos pengohej SPAK-u kur kërkon pezullim nga detyra apo autorizim për procedim penal. Heshtën të dyja palët.

Së dyti: kontrolli parlamentar ndaj qeverisë. Deputetë të opozitës e kanë ngritur vazhdimisht këtë problem. Mund të kishin vendosur detyrimin ligjor që kryeministri dhe ministrat të paraqiten fizikisht në Kuvend sa herë kërkohet llogaridhënie, pa mundësi shmangieje. Heshtën të dyja palët.

Së treti: komisionet hetimore. Një demokraci parlamentare minimale kërkon garanci që pakica të kontrollojë shumicën. Asnjë dakordësi që refuzimi arbitrar i komisioneve hetimore të zhduket nga praktika parlamentare. Heshtje. Konflikti i vetëm real duket se mbetet kush do të marrë në pyetje institucionet e pavarura në komisionet private të radhës: Ulsiu apo Fatmiri.

Ndërkohë, ky “konsensus historik” për Europën u reduktua në çështje banalitetesh të vogla e qesharake. Si p.sh. ndarja e Komisionit të Europës nga ai i Integrimit — me shumë gjasa që drejtimi i këtij të fundit t’i jepet një përfaqësuesi të PD-së. Nëse ju vjen ndërmend një emër konkret, po, me shumë gjasa është pikërisht ajo që mendoni. Pra, një konsensus “për t’i gjetur Kolës një punë”. U ra dakord që Komisioni i Etikës të ketë raporte barazie, sepse halli real i opozitës është të mos përjashtohet më me 20 apo 30 ditë nga Kuvendi dhe të mos i hiqet paga deputetëve. Madje nuk do të ishte çudi që të kenë rënë dakord edhe për më shumë zyra e këshilltarë për grupet parlamentare.

Kjo është prova se askush nuk sakrifikoi asgjë. Rama jo e jo. Por as Berisha.

Teorikisht, ky i fundit do të duhej t’u jepte demokratëve një justifikim më serioz, sepse janë pikërisht ata që ndjejnë më shumë nga të gjithë, mbi lëkurë, pasojat e qeverisjes së Ramës. Por mesa duket edhe këtë e ka zgjidhur: i fut një protestë kombëtare para 23 majit, demokratët e rizgjedhin si lider të përjetshëm dhe cikli mbyllet.

Kështu historia përsëritet.

Shqipëria ka ndoshta konsensusin deklarativ më të lartë për integrimin europian në rajon dhe njëkohësisht disa nga boshllëqet më serioze në standardet që e bëjnë atë integrim të mundur.

Ky dualitet — vullnet deklarativ simbolik, por refuzim real në praktikë — nuk është rastësi. Vullneti deklarativ simbolik funksionon si fasadë legjitimuese, jo si mekanizëm detyrues. Shërben për të neutralizuar kritikat ndërkombëtare dhe për t’i dhënë klasës politike hapësirë manovrimi pa ndryshuar asgjë thelbësore.

Prandaj ky akt i sotëm duhet lexuar për atë që është realisht: një akt institucionalisht normal, politikisht i kalkuluar, publikisht farsë dhe diplomatikisht i dobishëm. Por kurrsesi jo provë e ndonjë emancipimi të kulturës politike shqiptare.

Prova e kundërt do të ishte realizimi i një reforme zgjedhore reale, jo kozmetike. Garantimi i opozitarizmit parlamentar me llogaridhënie reale, komisione hetimore, heqje imunitetesh dhe mbështetje drejtësisë. Pluralizmi i brendshëm partiak. Balanca institucionale. Respektimi i institucioneve të pavarura dhe jo kontrolli mbi to. Standarde të verifikueshme në luftën kundër korrupsionit.

Këto nuk kanë ndodhur. Nuk po ndodhin. Dhe me shumë gjasa nuk do të ndodhin. E pa ato, vota unanime e sotme mbetet një fotografi politike e kuruar mirë — jo provë emancipimi. Dhe fotografitë, sado të bukura, nuk zëvendësojnë reformat.

Sepse mesa duket është e vërtetë ajo që tha dje Elisa Spiropali në seancë. Elisa, si një “e skonfesionuar” nga Rama, ndodhet tashmë në pikën ku nuk ka më çfarë të humbasë dhe kështu nis të thotë publikisht ato që ia kanë parë sytë dhe dëgjuar veshët: që Berisha është njëkohësisht edhe denoncuesi, edhe garantuesi i Ramës. Sado e rëndë të duket të dëgjosh të vërteta nga goja e Elisës…/vna