Ballina Dossier 53 vite nga revolta e Spaçit: si u pushkatuan katër të burgosur...

53 vite nga revolta e Spaçit: si u pushkatuan katër të burgosur politikë që sfiduan diktaturën komuniste në ferrin e galerive

56
0

53 vjet më parë, në ferrin e Spaçit, disa të burgosur politikë guxuan të bëjnë atë që dukej e pamundur në Shqipërinë komuniste: të ngriheshin kundër diktaturës.

Ishin njerëz të uritur, të torturuar, të izoluar në galeritë e bakrit dhe të dënuar të vdisnin ngadalë në një kamp ku shteti nuk synonte vetëm të ndëshkonte trupin, por të shkatërronte shpirtin. Megjithatë, më 21 maj 1973, në atë kamp të rrethuar me tela me gjemba dhe armë automatike, shpërtheu revolta.

Dosjet e Sigurimit të Shtetit tregojnë sot me gjuhën e ftohtë burokratike atë që regjimi e quante “veprimtari armiqësore”. Në ato faqe përshkruhen të burgosur që refuzonin të futeshin në galeri, që thërrisnin “Rroftë Shqipëria e lirë”, “Poshtë komunizmi”, “Ja vdekje, ja liri” dhe që ngritën flamurin shqiptar pa yllin komunist.

Në dokumente përmenden emrat e shumë prej të burgosurve që morën pjesë në revoltë: Skënder Daja, Dervish Bejko, Pal Zefi, Pavllo Poga, Fadil Kokomani, Veli Dedi, Hajri Pashillari, Zef Ndoja, Ndue Pisha, Shaban Tafa, Tomorr Alibej, Pëllumb Noka e dhjetëra të tjerë.

Për regjimin, kjo ishte një sfidë e pafalshme.

Dokumentet tregojnë se revolta u shtyp me forcë nga policia dhe ushtria. Kampi u rrethua. Urdhrat erdhën nga lart. Të burgosurit u dhunuan, u izoluan dhe më pas nisi hakmarrja e shtetit.

Katër prej tyre u pushkatuan: Pal Zefi, Dervish Bejko, Hajri Pashillari dhe Skënder Daja.

Tetë të tjerë u dënuan me nga 25 vite burg, ndërsa 56 të burgosur morën ridënime të tjera vetëm sepse kishin guxuar të kundërshtonin diktaturën.

Në dosjet e Sigurimit, revolta përshkruhet si “kundërrevolucion”, ndërsa të burgosurit si “armiq”. Por sot ato dokumente lexohen ndryshe: si dëshmi të një prej akteve më të forta të rezistencës antikomuniste në Shqipëri.

Sot, 53 vite më pas, Spaçi mbetet ende një rrënojë.

Vizitohet nga qindra njerëz çdo vit, përmendet në përvjetorë dhe fjalime, por projekti për kthimin e tij në një muze kombëtar vazhdon të mbetet i mbyllur në sirtarët e politikës shqiptare.

Ndoshta sepse Spaçi nuk është thjesht histori.

Spaçi është prova se edhe në diktaturën më të egër pati njerëz që refuzuan të nënshtroheshin. Dhe ndoshta kjo vazhdon të jetë ende e sikletshme për shumëkënd.