Një valë e madhe arrestimesh ka tronditur botën e showbiz-it turk, pas një operacioni të gjerë anti-drogë të ndërmarrë nga Kryeprokuroria Publike e Bakırköy-it në Stamboll. Në mesin e 25 personave për të cilët është lëshuar urdhër-arresti, bëjnë pjesë emra mjaft të njohur të ekranit dhe muzikës turke, përfshirë aktoren e famshme Serenay Sarıkaya, këngëtarin Mabel Matiz dhe artistin Berkay Şahin.
Për shkak se ndodhej jashtë shtetit në momentin e finales së operacionit, aktorja Serenay Sarikaya nuk ka mundur të ndalohet dot nga policia. Ky zhvillim ka pushtuar menjëherë mediat vendase dhe ka sjellë reagime të shumta, duke detyruar edhe vetë aktoren të thyejë heshtjen përmes një deklarate zyrtare në rrjetet e saj sociale.
Në reagimin e saj, Sarıkaya u përpoq të qetësonte ndjekësit dhe konfirmoi se do të përballet me drejtësinë sapo të shkelë në tokën turke.
“Këtë lajm e mora gjatë një udhëtimi jashtë vendit, të cilin e kisha planifikuar prej kohësh. Do të kthehem në vendin tim sa më shpejt të jetë e mundur dhe do të kryej të gjitha procedurat e nevojshme, ashtu si çdo qytetar tjetër,” u shpreh aktorja, duke shtuar: “Unë jam mirë, nuk ka asnjë problem. Ju dërgoj shumë dashuri të gjithë atyre që u shqetësuan për mua.”
Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë së Bakırköy-it, ky aksion është pjesë e një lufte të ashpër kundër narkotikëve që kërcënojnë shëndetin dhe sigurinë publike. Hetimet kanë zbuluar fillimisht rrjete të trafikut të kokainës që futej përmes rrugëve detare, si dhe laboratorë të prodhimit të drogës në lagje të ndryshme të Stambollit.
Në kuadër të këtij hetimi të zgjeruar, autoritetet kanë lëshuar urdhra të prerë për arrestimin, kontrollin e banesave, marrjen e deklaratave dhe kryerjen e ekzaminimeve biologjike për 25 të dyshuarit e listës, ku përfshihen të famshmit e akuzuar për përdorim, sigurim të vendeve për konsum apo lehtësim të qarkullimit të lëndëve narkotike.







