Në fjalën e tij, ai u ndal te rritja e numrit të qendrave dhe infermierëve, ndërsa nënvizoi se sezoni turistik pritet të sjellë edhe këtë vit rritje të vizitorëve në vend.
“Nga një anë me nevojën për të përcjellë te të gjithë qytetarët tanë mesazhin se vëmendja jonë përmes strukturave të shërbimit publik shëndetësor për sezonin është e lartë. Nga ana tjetër, për t’ju përcjellë ju mesazhin se roli juaj në këtë fazë të vitit është i jashtëzakonshëm, qoftë sa i përket detyrës që lidhet me përkujdesjen ndaj atyre që trokasin në dyert e qendrave shëndetësore verore, qoftë edhe për Shqipërinë që përmes jush ju flet dhe ju thotë diçka për veten.
E vërteta është që qendrat verore shëndetësore janë një eksperiencë e konsoliduar, e inicuar disa vite më parë, me një numër më të vogël profesionistësh të përfshirë, por edhe me një rezultat kuptimplotë, që na ka bërë të kuptojmë më së miri qoftë rëndësinë e tyre, për ata që kanë një mendim të parë dhe çfarë duhet të bëjmë më mirë sezon pas sezoni.
Këtë vit, numri i qendrave është rritur. Numri i mjekëve dhe infermierëve është rritur. Nga leximi i sezonit të shkuar në këtë aspekt, ka dalë nevoja për ta bërë një hap të tillë. Ne presim që numri i turistëve të konsolidohet në atë nivel që ishte në vitin e shkuar dhe në momente të caktuara të vitit të rritet. Shifrat nga porti flasin për rritje, por po të shohim në tërësi, shifrat që nga janari, kemi një rritje sa inkurajuese, aq edhe sfiduese. Është shumë e rëndësishme që të gjithë së bashku të bëjmë më të mirën për të përmbushur misionin në të gjitha aspektet.
Shteti shihet tek uniformat e policisë dhe mjekëve dhe infermierëve kur turistët kanë nevojë për ta. Kjo është një arsye më shumë që punën e mirë në vitet e shkuara ta përmirësojmë edhe më tej. Mbi të gjitha duke vendosur në kryefjalën e misionit të çdo ditë njerëzillëkun e atyre që vijnë dhe trokasin.
Kjo vlen si për turistët, por edhe për banorët apo pushuesit pranë qendrave. Kjo vlen edhe për vetë ekonominë e vendit sepse marrja e shërbimeve të mira dhe shërbimeve njerëzore dhe mbresëlënëse nga pikëpamja e sjelljes e bëjnë njeriun shumë më pozitiv ndaj vendit ku gjendet dhe stimulojnë edhe rikthimin e tij apo ardhjen e të tjerëve.
Unë kam pasur më shumë se një rast mundësinë të dëgjoj nga të huajt përshtypjen e tyre për spitalet tona. E them me shumë kënaqësi që përshtypjet kanë qenë tejet pozitive, si fillim nga mënyra e komunikimit të personelit shëndetësor. Do ishte jashtëzakonisht më mirë sikur këto përshtypje të ishin të të gjithëve. Realiteti është përditë e më pozitiv”, tha Rama.







