Ballina Kulturë Si e ndryshoi letërsinë Lufta e Parë Botërore

Si e ndryshoi letërsinë Lufta e Parë Botërore

47
0

Lufta e Parë Botërore, lufta që fillimisht pritej të “mbaronte deri në Krishtlindje”, u zgjat për katër vite me brutalitet të tmerrshëm, të sjellë nga lindja e luftës në llogore dhe armëve të avancuara, përfshirë armët kimike. Tmerret e atij konflikti e ndryshuan botën për dekada dhe shkrimtarët e pasqyruan atë ndryshim në veprat e tyre.

Siç do të shkruante më vonë Virginia Woolf: “Dhe papritur, si një gropë në një rrugë të sheshtë, erdhi lufta.”

Veprat e para e lavdëronin luftën

Ndër të parët që dokumentuan “gropën” e luftës ishin vetë ushtarët. Në fillim, idealizmi vazhdonte ende, ndërsa udhëheqësit lavdëronin të rinjtë që niseshin në luftë për të mirën e vendit.

Poeti anglez Rupert Brooke, pasi u regjistrua në Marinën Mbretërore Britanike, shkroi një seri sonetesh patriotike, mes tyre edhe “Ushtari”, ku thuhej:

“Nëse duhet të vdes, mendo vetëm këtë për mua:

Se diku, në një cep të një fushe të huaj,

do të ketë përjetësisht Angli.”

Brooke, pasi u dërgua në pushtimin e Galipolit nga aleatët, vdiq nga helmimi në gjak në vitin 1915.

Po atë vit, mjeku kanadez nënkolonel John McCrae, duke parë sesi lulëkuqet rriteshin në fushat e shkatërruara nga bombat dhe të mbuluara me trupa të vdekur, shkroi poemën “Në fushat e Flandrës”. Poema, që përkujtonte vdekjen e mikut dhe shokut të tij ushtar, më vonë u përdor nga ushtritë aleate për të rekrutuar ushtarë dhe për të mbledhur para përmes shitjes së bonove të luftës:

“Në fushat e Flandrës lulëkuqet lëkunden

Mes kryqeve, rresht pas rreshti,

Që tregojnë vendin tonë; dhe në qiell,

Laureshat, ende duke kënduar me guxim, fluturojnë,

Me zor dëgjohen mes armëve poshtë.”

Image

Toni i letërsisë ndryshoi pas tmerrit të luftës

Ndërsa veprat e Brooke dhe McCrae kishin tone patriotike në fillim të konfliktit, me kalimin e kohës tmerret e pandërprera të luftës sollën reflektime më të errëta. Disa, si poeti anglez Wilfred Owen, e panë si detyrë të tyre të tregonin realitetin brutal të luftës.

Siç shkroi Owen: “Gjithçka që një poet mund të bëjë sot është të paralajmërojë. Prandaj poeti i vërtetë duhet të jetë i sinqertë.” Në poemën “Himni për Rininë e Dënuar”, Owen përshkruan ushtarët që “vdesin si bagëti” dhe “zemërimin monstruoz të armëve”.

Shoku i tij oficer, Siegfried Sassoon, shkruan për kufomat “me fytyrë poshtë, në baltën që i thithte, të përlyera si thasë rëre të shkelur” në poemën e vitit 1918, “Kundërsulmi”.

Nga ana tjetër e frontit, shkrimtari gjerman Erich Maria Remarque përjetoi gjithashtu jetën e zymtë të përditshme të një ushtari. Më vonë, në vitin 1929, ai botoi një rrëfim të drejtpërdrejtë në romanin “Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit”.

Mes veprave të tjera të njohura që pasqyronin realitetin e tmerrshëm të luftës ishte edhe seria me katër pjesë “Fundi i paradës” e romancierit anglez Ford Madox Ford, si edhe “Doktor Zhivago” nga shkrimtari sovjetik Boris Pasternak, ku personazhi kryesor përshkruan plagët e tmerrshme të shkaktuara në fushëbeteja.

Ernest Hemingway shkruan “Lamtumirë Armë”

Në një nga veprat më të famshme ku ngjarjet zhvillohen gjatë “Luftës së Madhe”, shkrimtari amerikan Ernest Hemingway sjell një histori dashurie mes një ushtari dhe një infermiereje, në sfondin kaotik dhe të ashpër të Luftës së Parë Botërore.

“Lamtumirë Armë” është një nga veprat më autobiografike të Hemingway-t: vetë ai shërbeu si shofer ambulance gjatë luftës, u plagos rëndë në frontin austro-italian dhe u dërgua në një spital në Milano, ku ra në dashuri me një infermiere.

Virginia Woolf shkruan për ndikimin e luftës në shoqëri

Përgjigjja letrare ndaj Luftës së Parë Botërore nuk ishte vetëm përshkrimi i tmerreve në front, por edhe pasojat që lufta la në gjithë shoqërinë.

Virginia Woolf, e cila kishte qenë mike e afërt e poetit të ndjerë Rupert Brooke, përfshiu referenca të thella për efektet e luftës në veprat e saj.

Në romanin e saj të njohur “Znj. Dallouej”, lufta ka përfunduar, por të gjithë mbeten thellësisht të prekur prej saj, përfshirë edhe një nga personazhet kryesore, një veteran që vuan nga tronditja e rëndë psikologjike e luftës (sot e njohur si PTSD ose çrregullim i stresit post-traumatik).

ImageModernizmi shfaqet në letërsi

Zhgënjimi që solli lufta kontribuoi në lindjen e modernizmit, një rrymë letrare që u shkëput nga mënyrat tradicionale të të shkruarit, hodhi poshtë idealizimin romantik të natyrës dhe u përqendrua më shumë te bota e brendshme e personazheve.

Romanet e Woolf pasqyronin këtë frymë të re, ashtu si edhe veprat e Joseph Conrad (“Zemra e errësirës”) dhe James Joyce (“Uliksi”). Poema “Toka e shkretë” e T.S. Eliot, e konsideruar një nga poezitë më të rëndësishme të shekullit XX, paraqet një vizion të zymtë të shoqërisë pas luftës, me vargjet hapëse:

Prilli është muaji më mizor, që bën të mbijnë

lilat nga toka e vdekur, duke përzier

kujtime dhe dëshira, tundime

e rrënjë të ngrira me shiun pranveror.

Romani distopik “Më e mira e botëve” i Aldous Huxley vë në pikëpyetje normat shoqërore dhe morale të pranuara më parë, duke paraqitur një vizion të frikshëm të së ardhmes.

Lufta e Parë Botërore shkatërroi kontinente të tëra, duke lënë rreth 10 milionë ushtarë dhe 7 milionë civilë të vdekur. Por shkrimtarët iu përgjigjën me vepra të thella dhe revolucionare, ndërsa ata dhe pjesa tjetër e botës përpiqeshin të kuptonin tronditjen që solli lufta.

Siç shkroi Remarque në “Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit”: “Të gjitha këto gjëra që tani, ndërsa jemi ende në luftë, fundosen brenda nesh si një gur, pas luftës do të zgjohen sërish dhe atëherë do të fillojë ndarja mes jetës dhe vdekjes.”