Ballina Aktualitet Tatimet sekuestrojnë Mclarenin e Fatmir Hysenbelliut

Tatimet sekuestrojnë Mclarenin e Fatmir Hysenbelliut

53
0

Administrata Tatimore njoftoi sekuestrimin e 8 automjeteve të një tatimpaguesi në Tiranë për borxhe të papaguara ndaj administratës. Sipas Tatimeve, mes automjeteve të sekuestruara kishte dhe marka luksoze si McLaren, Mercedes-Benz dhe BMW.

Ndonëse në njoftimin zyrtar, Tatimet nuk e bënë publik emrin e tatimpaguesit, mësohet se ato ishin në pronësi të biznesmenit Irfan Hysenbelliu dhe djalit të tij, Fatmir Hysenbelliu.

Sipas njoftimit, sekuestrimet u bënë pasi këto subjekte kanë 6.4 milionë euro detyrime të papaguara taksash. Ky aksion është goditja më e fundit që administrata tatimore dhe agjencitë e tjera në varësi të qeverisë, kanë ndërmarrë ndaj pronarit të Neës 24, Irfan Hysenbelliu.

Prej kohësh ky biznesmen gjendet në konflikt të hapur me qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama, që nisi fillimisht me shembjen e hotelit Prestige Resort në Malin e Robit dhe më pas u shkallëzua në nxjerrjen nga godina të televizionit dhe mësymjen e administratës tatimore ndaj bizneseve të Hysenbelliut.

Njoftimi i plotë i Tatimeve
Administrata Tatimore rikujton se masat shtrënguese do të vijojnë ndaj të gjithë tatimpaguesve që nuk përmbushin detyrimet ligjore, përfshirë subjektet e referuara në Prokurori dhe ata që krijojnë detyrime të reja tatimore pas datës 31.12.2024, të cilat nuk përfitojnë nga ligji për fshirjen dhe shuarjen e detyrimeve tatimore.

Në kuadër të këtyre masave, strukturat e specializuara të Administratës Tatimore kanë kaluar nga bllokimi i llogarive bankare në sekuestrimin e aseteve të debitorëve, deri në shlyerjen e plotë të detyrimeve.

I tillë është rasti i një tatimpaguesi në Tiranë me detyrime tatimore të papaguara në vlerën 6.4 milionë euro, të cilit i janë sekuestruar 8 automjete luksoze, mes tyre McLaren, Mercedes-Benz dhe BMW. Administrata Tatimore do të vijojë pa kompromis zbatimin e masave shtrënguese ndaj çdo subjekti që shmang përmbushjen e detyrimeve tatimore.

Tatimet sekuestrojnë Mclarenin e Fatmir Hysenbelliut