Ballina Kulturë Hollywood nderon Marilyn Monroe në 100-vjetorin e lindjes së saj

Hollywood nderon Marilyn Monroe në 100-vjetorin e lindjes së saj

49
0

Hollywood-i, po nderon aktoren legjendare, Marilyn Monroe, me një sërë aktivitetesh të veçanta me rastin e 100-vjetorit të lindjes së saj.

Në teatrin historik Chinese Theatre, ku gjurmët e duarve të Monroe-s kanë mbetur të gdhendura përgjithmonë, admiruesit e saj kënduan “Happy Birthday”, duke rikujtuar interpretimin e saj të famshëm dhe sensual për presidentin John F. Kennedy.

Në vendin e ceremonisë u vendosën 100 trëndafila dhe një tortë, si homazh për një nga ikonat më të mëdha të epokës së artë të Hollywood-it. Aktivitetet për nder të Marilyn Monroe nisën të dielën, më 31 maj, kur Muzeu i Akademisë hapi ekspozitën “Marilyn Monroe: Hollywood Icon”, kushtuar karrierës së saj kinematografike dhe jetës së saj të ndërprerë para kohe.

Ylli ikonë i Hollywood-it, fama e të cilës u rrit me shpejtësi gjatë viteve 1950, ndërroi jetë nga një mbidozë në shtëpinë e saj në Brentwood në gusht të vitit 1962, në moshën vetëm 36-vjeçare.

Gjatë gjithë muajit, Muzeu i Akademisë do të organizojë shfaqje speciale të filmave të saj më të njohur, përfshirë The Asphalt Jungle (1950), Niagara (1953), The Seven Year Itch (1955), Some Like It Hot (1959) dhe The Misfits (1961).

Ekspozita, e cila do të qëndrojë e hapur deri në shkurt të vitit 2027, përfshin qindra objekte origjinale, disa prej të cilave ekspozohen rrallë për publikun. Ndër to është edhe fustani i famshëm rozë që Monroe veshi gjatë interpretimit të paharrueshëm të këngës “Diamonds Are a Girl’s Best Friend” në filmin Gentlemen Prefer Blondes.

Më 4 qershor, shtëpia e ankandeve Julien’s Auctions do të nxjerrë në ankand afro 200 objekte të lidhura me Monroe-n, në kuadër të ankandit “100 Years of Marilyn”.

Mes objekteve që do të dalin në shitje janë fotografi të papublikuara më parë, një skenar me shënime nga puna e saj e fundit kinematografike, filmi i papërfunduar Something’s Got to Give, si dhe sende personale, përfshirë receta të shkruara me dorë dhe buzëkuqin e saj nga marka Elizabeth Arden.

E lindur në Los Angeles më 1 qershor 1926, Monroe pati një fëmijëri të vështirë dhe të paqëndrueshme, duke kaluar mes jetimoreve dhe familjeve kujdestare. Ajo u martua për herë të parë në moshën 16-vjeçare.

Kontakti i saj i parë me botën e argëtimit erdhi në vitin 1944, kur punonte në një fabrikë dhe u fotografua së bashku me gra të tjera që punonin në linjat e prodhimit gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Pak më vonë, ajo hyri në botën e modelingut, u divorcua nga bashkëshorti i saj dhe mori një vendim që do ta bënte të pavdekshme në historinë e kulturës pop, i bëri flokët e saj ngjyrë gështenjë në bionde platin, pamje që do të bëhej marka e saj dalluese. Ajo nënshkroi kontratën e parë me Fox dhe para se të mbushte 30 vjeç ishte tashmë një yll me famë botërore.

Pas shkëlqimit të kamerave, Monroe themeloi kompaninë e saj të prodhimit, studioi në Actors Studio të famshëm të Nju Jorkut dhe nuk hezitoi të sfidonte studiot e mëdha të filmit. Në vitet 1950, ndërsa ishte nën kontratë me 20th Century Fox, ajo refuzoi të luante në adaptimin filmik të muzikalit The Girl in Pink Tights, duke e konsideruar skenarin të dobët dhe pagesën e saj të padrejtë, pasi ishte tri herë më e ulët se ajo e bashkëprotagonistit të saj, Frank Sinatra.

Më shumë se gjysmë shekulli përpara se lëvizja #MeToo të trondiste industrinë globale të argëtimit, Marilyn Monroe kishte denoncuar publikisht “ujqërit” e Hollywood-it që shfrytëzonin gratë.