Autoritetet doganore gjermane në portin e Detit të Veriut në Wilhelmshaven kanë realizuar një nga sekuestrimet më të mëdha të kokainës të viteve të fundit.
Më shumë se 8 tonë kokainë, me një vlerë të vlerësuar në tregun e zi prej rreth 500 milionë eurosh (581 milionë dollarë), u sekuestruan, sipas një njoftimi të publikuar sot nga Prokuroria e Aurichut dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave në Këln. Zbulimi në portin Jade-Weser ishte bërë që më 9 shkurt, por ishte mbajtur sekret për arsye taktike hetimore.
Falë bashkëpunimit ndërkombëtar që pasoi operacionin, autoritetet spanjolle arrestuan në mesin e majit dy persona të dyshuar si drejtues të rrjetit kriminal gjatë një dorëzimi të kontrolluar të kontejnerit në provincën spanjolle të Almerías. Njëri prej të arrestuarve është drejtues i një kompanie importi.
Ministri gjerman i Financave, Lars Klingbeil, e cilësoi operacionin si një goditje të rëndë ndaj trafikut ndërkombëtar të drogës.
“Tetë tonë kokainë në një sekuestrim të vetëm përbëjnë një goditje të madhe për tregtinë ndërkombëtare të drogës”, deklaroi ai, duke falënderuar hetuesit dhe duke njoftuar se së shpejti do t’i paraqesë qeverisë ligjin e ri për drejtësinë financiare doganore, i cili synon t’u japë doganave mjete të reja teknike dhe ligjore për luftën kundër krimit të organizuar.
Sipas doganave dhe prokurorisë, droga u gjet në një kontejner të ardhur nga Afrika Perëndimore, i cili sipas dokumenteve të transportit ishte ngarkuar me kokrra kakaoje dhe kishte si destinacion Spanjën.







