Ballina Kronika Si drejtori dhe zëvendësi i tij zhvatën rreth 400 mijë euro dy...

Si drejtori dhe zëvendësi i tij zhvatën rreth 400 mijë euro dy klientëve të UBA Bank

35
0

Denoncimi i një qytetari për zhdukjen e një vlere prej 500 mijë lekësh nga llogaritë e tij bankare pranë UBA Bank, si dhe një kallëzim i kryer nga vetë banka, çuan në zublimin e një skeme vjedhje nga vetë punonjësit e institucionit financiar privat.

Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, gjykata respektive ka caktuar 12 masa sigurimi “Arrest në burg”, “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullimi i shërbimit të një detyre a shërbimit publik”, për punonjësit e një prej degëve të UBA Bank, të cilët akuzohen për veprat penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Falsifikimi kompjuterik”.

Mes të proceduarve janë edhe drejtori i degës së bankës ku ka ndodhur vjedhja, Albin Keta dhe zëvendësi i tij, Gilbert Hoxha, të dy të arrestuar.

Sipas një njoftimi të shpërndarë nga Prokurorisë e Përgjithshme të mërkurën, nga hetimet është evidentuar se nga llogaritë e klientëve të bankës, janë kryer 30 tërheqje pa mandat, si dhe janë hapur e mbyllur pa autorizim disa depozita me afat në euro dhe dollarë.

Sipas prokurorisë, drejtori Keta dhe zëvendësi i tij, akuzohen se kanë kryer në mënyrë të përsëritur veprime të kundërligjshme gjatë ushtrimit të detyrës së tyre funksionale.

“Duke shpërdoruar detyrën dhe aksesin në sistemin bankar, ata kanë përvetësuar shumat monetare të dy kilentëve nëpërmjet përdorimit të mandateve të tërheqjes false, pa mandat, ndëhyrjes së kundërligjshme në sistem nëpërmjet konvertimeve valutore, hapje/mbyllje depozitash si dhe ndryshim të të dhënave pa autorizim”, citohet në njoftimin e prokurorisë.

Po ashtu, është vepruar në bashkëpunim me punonjësit e tjerë të bankës, në cilësinë e arkëtarit, supervizorit si dhe të shërbimit ndaj klientit.

“Kjo skemë përfitimi e realizuar nga punonjësit e bankës sipas funksionit, funksiononte sipas mekanizmit: arkëtar/shërbim klienti nëpërmjet aksesit eskluziv mbi fondet e klientit kryhen ndërhyrje dhe manipuluan sistemin bankar, veprime të cilat verifikohen dhe autorizohen nga niveli drejtues në hierarki, përgjegjës operacional dhe drejtor dege, të cilët kanë detyrimin për verifimin, kontrollin dhe autorizimin final për kryerjen e transaksionit bankar”, bëri me dije organi akuzës.

Katër prej punonjësve të bankës që janë pezulluar nga detyra, të cilët akuzohen për “Falsifikim kompjuterik”, ka rezultuar se kanë kryer veprime dhe transaksione bankare në kushtet kur mungonte kontrata, duke ndihmuar dhe të proceduarit e tjerë për vjedhur vlerat monetare.