Ballina Editorial Protesta që zhbëri në një ditë qeverinë, opozitën dhe parlamentin

Protesta që zhbëri në një ditë qeverinë, opozitën dhe parlamentin

135
0

Nga Mirela Karabina

Sa të vegjël duken të gjithë përballë forcës së qytetarëve!

Një kastë politike që për vite ka ndarë pushtetin, opozitarizmin dhe shpresën, sot endet e hutuar përballë një sheshi që nuk i bindet askujt.
Qeveria luan rolin e të paditurit. Bën sikur nuk sheh, nuk dëgjon dhe nuk kupton. Por frika e pushtetit nuk fshihet dot pas heshtjes dhe propagandës bajate e të dalë mode.

PD-ja, e mbetur pa besimin e qytetarëve, përpëlitet të duket në krye të një revolte që nuk e ka frymëzuar dhe nuk e kontrollon dot. Kur qytetarët flasin vetë, bie maska e çdo manovre të një opozite të rreme.
Por Sheshi është më i madh se ata, PS e PD bashkë. Është më i madh se pazaret e tyre, më i madh se llogaritë e tyre, më i madh se partitë e tyre.

Është plot energji, shpresë dhe dinjitet!
Dhe në qendër të tij është, Rinia.

Dhe këtu qëndron madhështia e kësaj proteste: një rini# e lirë, e pakapur, e pablerë.
Rinia që po u kujton të gjithëve se historia nuk shkruhet nga ata që mbajnë karriget, por nga ata që kanë kurajën t’i sfidojnë, se ndryshimet historike nuk lindin në zyrat e pushtetit, por në zemrën e qytetarëve.

Kjo rini e bukur po u jep një leksion të gjithë atyre që menduan se mund ta mbanin peng të ardhmen.
Dhe kur rinia ngrihet, asnjë pushtet nuk është i përjetshëm!

Dhe kjo është forca që ka trembur establishmentin, pasi kjo është Shqipëria e re.