Pas më shumë se pesë vitesh kufizimesh, kreu i PD Sali Berisha deklaroi sot se i është hapur sërish mundësia për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai u shpreh se “non grata nuk ka ekzistuar asnjëherë”, ndërsa nuk dha një përgjigje të qartë nëse çdo zhvillim i ri përfshin edhe familjarët e tij.
Menjëherë pas këtij lajmi, reagimet brenda grupit parlamentar të PD nuk munguan, ku deputetët kanë uruar Berishën në komunikimet e brendshme në WhatsApp.
Deputeti Arjan Ndoji ka zgjedhur jo vetëm ta përshëndesë zhvillimin, por edhe të kujtojë qëndrimet e dikurshme të disa prej kolegëve të tij politikë, të cilët në periudha të mëparshme kishin akuzuar kreun e PD-së se po e përdorte partinë për mbrojtje personale.
“Urime Doktor. Për të gjithë ata që brenda forcës thanë që mbron veten nëpërmjet Partisë, i përshëndesim dhe i urojmë të mos nguten në jetë. Për të gjithë anëtarët e PD-së kjo është fitore dhe duhet kapitalizuar në proces pune të përditshme”, shkruan Ndoji.
Qartazi mesazhi i Ndojit ishte thumb për Gazment Bardhin, Jorida Tabakun dhe një pjese të grupit që mbështetën Lulzim Bashën në përplasjet brenda PD dhe e kishin akuzuar Berishën se po përdorte logon dhe strukturat e partisë për interesa personale. Më pas, me rikthimin e kontrollit ligjor të partisë nga Berisha, qëndrimet e tyre ndryshuan dhe sot janë nën urdhrat e liderit historik të PD.
Pavarësisht se vitet kanë kaluar dhe PD pretendon se ka lënë pas përpasjet brenda partisë, mesazhi i Ndojit tregon se pakënaqësitë mes deputetëve janë ende prezente.







