Ballina Aktualitet Pas dy vitesh në krye, Tonin Gjuraj jep dorëheqjen e parakohshme si...

Pas dy vitesh në krye, Tonin Gjuraj jep dorëheqjen e parakohshme si rektor i Universitetit të Shkodrës

87
0

Rektori i Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, ka paraqitur dorëheqjen e parakohshme nga detyra, përmes një letre drejtuar Ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro Furxhi.

Në letrën e datës 11 qershor 2026, Gjuraj argumenton se vendimi vjen pas mosmarrëveshjeve me Bordin e Administrimit të universitetit, të cilin e akuzon për vendimmarrje të njëanshme, shkelje ligjore dhe ndërhyrje që, sipas tij, cenojnë autonominë universitare.

Rektori shprehet se ka kërkuar mbështetje për proceset e transformimit të universitetit dhe ka kundërshtuar krijimin e barrierave që pengojnë zhvillimin e institucionit. Ai thekson se posti i rektorit është një funksion institucional dhe jo personal, ndërsa nënvizon se mandati i dhënë nga komuniteti universitar duhet të ushtrohet me integritet dhe në shërbim të universitetit dhe qytetit të Shkodrës.

Në përfundim të letrës, Gjuraj i kërkon Ministrisë së Arsimit që, në përputhje me ligjin për arsimin e lartë, të garantojë vijimin normal të funksionimit të universitetit pas dorëheqjes së tij të parakohshme.

Dorëheqja e tij vjen më pak se dy vite pasi mori detyrën e rektorit të Universitetit të Shkodrës, mandat për të cilin ishte zgjedhur në vitin 2024.