Nga Artan Fuga
Dallime shtresore në tubimet politike në Shqipërinë e sotme
Eshtë shumë shpejt të flitet për përbërjen shoqërore të protestuesve që prej dhjetë e ditësh mbushin sheshet dhe bulevardin e Tiranës, të qyteteve të tjera brenda dhe jashtë vendit duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit. Por, disa karakteristika mund të jepen gjithsesi. Duke i krahasuar edhe me pjesëmarrësit në mitingjet, ose antimitingjet që organizon partia në qeveri dhe kryeministri, apo edhe me tubime të opozitës disa javë dhe muaj më parë.
1. Mosha. Duket nga pjesëmarrja që janë relativisht të moshave të reja dhe të brezit të poshtëm të moshave mesatare të vendit, nga 18 vjeç deri në 40 vjeç, ata që duken si shumicë, pa përjashtuar edhe fasha të tjera moshore që përfaqësohen më pak. Kurse në tubimet politike të partive tradicionale janë moshtat mbi 50 dhe 60 vjeç që kanë pasur më shumë vizibilitet. Edhe drejtuesit e partive parlamentare apo tradicionale kanë edhe ata moshë mbi mesataren, kurse në tribunën e protestës ngjiten të rinj.
2. Gjinia. Eshtë interesante se ka një pjesëmarrje të gjerë të gjinisë femërore, vajza në mosha të reja, kryesisht, tepër aktive, të motivuara, me një artikulim të shkathët dhe ndonjëherë me një agresivitet që vjen si nga komunikimi në masë, ashtu eehe nga revolta e brendshme. Pjesëmarrja e gjinisë mashkullore është po ashtu e konsiderueshme, por nuk dallohet as hija më e vogël e ndonjë inferioriteti gjinor. Kurse në drejtuesit e partive tradicionale, në atë që shohim në sallën e Kuvendit, apo edhe në pjesëmarrësit në takimet e kryeministrit mbisundon një pjesëmarrje burrash, sikurse edhe në takimet e opozitës.
3. Vendbanimi. Pavarësisht se tubime protestash ka edhe në qytete të tjera, apo se protestues vijnë edhe nga rrethet, duket qartë se protestuesit në masën e madhe janë me banim në Tiranë. Pra kemi të bëjmë me popullsi urbane kryeqytetase. Janë popullsi që kanë prejardhje me familje që kanë banuar edhe më parë në Tiranë, kanë lindur në Tiranë, ose të ardhur gjatë viteve të para të postkomunizmit dhe të rritur në Tiranë. Kurse kryeministri deri tani i bënë takimet në rrethe të vendit, si në Fier, Vlorë, Shkodër, me një numër të kufizuar pjesëmarrësish. Duket sikur Tirana është në dorën e protestuesve.
4. Përvoja jetësore dhe politike. Në krahasim me popullsitë që përfaqësohen në takimet e liderave politikë tradicionalë, në pushtet apo në opozitë, të cilat kanë përvojë dhe kujtesë të drejtpërdrejtë personale nga koha e komunizmit, duket qartë se pjesëmarrësit në protesta janë të cliruar nga kujtesa historike e drejtpërdrejtë personale komuniste. Bashkë me kujtesën personale historike që është zbehur, nuk dallohen edhe shumë paragjykime dhe stereotipe që vijnë nga tradita e shoqërive autoritare sikurse janë sensi i hierarkisë, respekti mitik për liderat, kulti i individit, sloganet e parapërgatitura, dhe të tjera dukuri si këto. Ndërkohë duket qartë se protestuesit, me të drejtë, duket se kanë një lloj mosbesimi te çdo lider që mund të dalë. Kjo është karakteristikë e veprimit në masë, por edhe e zhgënjimit nga liderat tradicionalë. Ka një frikë se çdo lider mund të kapet nga politika e vjetër ose nga pushteti. Ndërkohë pjesëmarrësit në tubime politike kanë hyjnizim të liderit karizmatik dhe besnikërinë ndaj tij e quajnë vlerë etike bazë.
5. Motivimi qendrestar. Sado opozita ka bërë rrezistencë ndaj pushtetit, ka qenë e qartë që partia opozitare tradicional nuk arrinte të mblidhte në mitingje njerëz që ishin të gatshëm për të qendruar disa orë, dhe disa ditë, në protesta. Vinin, protestonin, iknin. Kjo lidhej edhe me faktin se vinin nga rrethet në shumicën e tyre, por edhe si kanë qenë të detryuar nga angazhimet e tjera të përditshme, por edhe për një lloj përtacie politike. Kurse ata që marrin pjesë deri tani në takimet e kryeministrit qendrojnë edhe më pak kohën në takime, janë si të thuash më të qetë në komunikim, dhe sigurisht iu takojnë shtresave që kanë një status të caktuar në administratë ose janë të privilegjuar nga rrethana kontekstuale nga pushteti. Kurse protestuesit e sotëm paraqesin një protestë që asnjë teori konspiracioniste nuk i shpjegon dot, veç një vullneti psikologjik të qendrueshëm, një rrezistence që vjen nga motive të forta dhe një vazhdueshmëri të përditshme që do të shihet sa do të vazhdojë.
6. Serioziteti në komunikim shoqëruar sigurisht edhe me një lloj ligjërimi të ashpër, të drejtpërdrejtë, kritik. Sloganet e vjetra politike duket se janë lënë pas, dhe mbi të gjitha dallohet në parrulla një ironi e thellë politike, e shoqëruar me një ikje dhe zbehje nga parrullat fillestare ideologjikisht ekstreme, por edhe në një komunikimi që vazhdon për të intimiduar dhe vënë para përgjegjësisë liderat kryesorë të politikës postkomuniste. Kurse Kryeministri ka zgjedhur që ligjërimin ta shmangë nga hullia politike, ta fusë në një tematikë ambjentaliste të kufizuar, ta pelikanizojë krizën e sotme politike, si edhe të japë shfaqje humori në skenë, të çuditshme për një kryeministër, që paraqitet edhe si një one man show ose parodist, çka përbën një komunikim të një lloji tjetër.
7. Këndi i vështrimit i problematikave shqiptare. Politika tradicionale bazohet kryesisht te argumenta tekniciste, mbivlerëson ideologjikisht, se në praktikë është tjetër gjë, investimin e huaj, projektet gjigandomane në rrugë, aeroporte, resorte, i jep përparësi kategorive financiare dhe ekonomike si fitimi, cilësia e shërbimit, investimi, etj. Kurse protestuesit e vënë theksin te ideja se përmbi konceptet ekonomike ideologjike ose propagandistike, është se shqiptarët duhet të respektohen si qytetarë, të drejtat e tyre politike, juridike, sociale, pronësore, etj. Gjithsesi deri tani teknicienët, intelektualët, pedagogët, etj., përgjithësisht qendrojnë të heshtur, të rezervuar, të tërhequr.
8. Duke qenë më të hapur ndaj një ndërgjegjeje kozmopolite, protestuesit aspak paradoksalisht nuk kanë asnjë kompleks inferioriteti ose hyjnizimi ndaj të huajve, sikurse ka qenë deritani tradita në Shqipëri. Duket se ka ardhur një moment historik kur të rinjtë si nga përvoja e emigrantëve, ashtu edhe nga kontakti komunikativ me një botë globale, kanë një bashkëjetesë psikologjike brenda tyre. Pra kanë një ndërgjegje të hapur kozmopolite që nuk bie në konflikt por përkundrazi përforcon psikologjinë kolektike patriotike, madje ndonjë herë edhe me nota nacionaliste. Për ta patriotizmi si edhe lufta kundër korrupsionit përbën mekanizmin e zgjidhjes së problemeve shoqërore. Qartësia e tyre duket: Shkaku i problemeve është një klasë politike që ka monopolizuar pushtetin, pastaj është korruptuar, dhe për rrjedhojë është dorëzuar përpara çdo presioni dhe është gati të sakrifikojë interesat e shqiptarëve për interesa egoiste materiale.
9. Pozita sociale. Duket se pjesëmarrësit në tubimet kryeministrore kanë një status social të caktuar dhe përbëjnë shtresa që zënë një pozitë disi të privilegjuar në shoqëri. Deputetë, nëpunës, analistë të paguar mirë, biznesmenë, pensionistë me të ardhura të qendrueshme, çka janë një pakicë në raport me shtresën e pensionistëve, etj. Kurse edhe nga mosha, protestuesit nuk kanë një status social të garantuar për të ardhmen dhe kanë sigurisht ankthe për jetën që kanë përpara, si edhe nevoja për shëndetësi, arsimim, banesë.
10. Statusi social virtual. Tenorët e propagandës së partive politike tradicionale, sidomos ata të pushtetit kanë fituar në vite reputacionin e tyre nëpërmjet karrierave politike. Janë bërë të njohur në vite nga dalja e vazhdueshme dhe e tepruar në mediat konvencionale, ose për shkak të fushatave elektorale. Kurse ata që kanë reputacion te masa e protestuesve e kanë krijuar këtë kryesisht nëpërmjet rrjeteve sociale ose duke qenë gazetarë jo të politikës në media. Por, kryesisht kemi influencën e rrjeteve sociale në krijimin e reputacionit të personazheve protestuese te opinioni politik mbështetës.







