Një prej veshjeve më të njohura të Princeshë Dianës do të dalë sërish në ankand.
Fustani i zi prej mëndafshi, i veshur prej saj në një mbrëmje gala në Londër në vitin 1994, vetëm pak orë pasi Charles pranoi publikisht se kishte qenë i pabesë gjatë martesës së tyre, pritet të shitet për deri në 300 mijë dollarë.
Fustani i zi i dizajnuar nga stilistja Christina Stambolian u bë një prej veshjeve më të njohura të Princeshë Dianës pas shfaqjes së saj në Galerinë Serpentine në Londër, në vitin 1994. Diana e veshi atë në një moment të rëndësishëm të jetës së saj publike.
Vetëm disa orë më herët, princi i atëhershëm Charles kishte pranuar publikisht se kishte qenë i pabesë gjatë martesës. Për këtë arsye, mediat e pagëzuan veshjen si “fustani i hakmarrjes”.
Fustani është prej mëndafshi, pa mëngë dhe me një dizajn të thjeshtë, ndërsa Diana e kombinoi me një çantë dhe këpucë të zeza, si dhe me një bizhuteri mbretërore. Ajo e ndryshoi zgjedhjen e veshjes në momentin e fundit për mbrëmjen bamirëse.
Tani, veshja pritet të rikthehet në vëmendje përmes ankandit të Sotheby’s. Shtëpia e ankandeve parashikon që fustani të shitet për deri në 300 mijë dollarë, rreth 220 mijë paund. Ankandi është planifikuar për 9 dhjetor.
Sipas Sotheby’s, kjo është hera e parë që fustani ofrohet në ankand që nga viti 1997.Në atë kohë, Diana shiti 79 prej fustaneve të saj për të mbledhur para për organizata bamirësie.
Veshja konsiderohet edhe si një nga momentet kur Diana përdori modën për të përcjellë një mesazh në një periudhë të vështirë të jetës së saj.
Për drejtuesen globale të departamentit të çantave dhe modës në Sotheby’s, Morgane Halimi, Diana e përdori veshjen për të marrë kontrollin mbi mënyrën se si po tregohej historia e saj.
Ky nuk është rasti i parë kur një veshje e Princeshë Dianës arrin një vlerë të lartë në ankand. Në vitin 2023, një pulovër e saj me motive delesh u shit në Sotheby’s në Nju Jork për 920 mijë paund.
Edhe makina me të cilën Diana mbërriti në eventin e vitit 1994, një Jaguar XJ40, është shitur këtë vit për 66,250 paund. Por fustani i zi pritet të arrijë një shumë dukshëm më të lartë.







