Ballina Aktualitet Gener 2 për “Blue Borgo”: Projekti plotësisht i ligjshëm, investim për turizmin...

Gener 2 për “Blue Borgo”: Projekti plotësisht i ligjshëm, investim për turizmin e qëndrueshëm dhe shton 300 mijë m² gjelbërim

81
0

Kompania ndërtuese Gener 2 ka reaguar përmes një deklarate publike lidhur me debatet dhe pretendimet e ngritura së fundmi për projektin turistik “Blue Borgo”, që po zhvillohet pranë zonës së Rrjollit në Velipojë.

Në sqarimin e saj, kompania thekson se projekti është zhvilluar në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar, duke respektuar standardet mjedisore dhe duke synuar krijimin e një modeli të ri zhvillimi turistik për veriun e vendit.

Sipas Gener 2, të gjitha procedurat ligjore, teknike dhe administrative janë ndjekur sipas kërkesave të ligjit dhe projekti është pajisur me të gjitha lejet e nevojshme nga institucionet kompetente. Kompania sqaron se ajo është palë ndërtuese në projekt dhe ka hyrë në marrëdhënie kontraktuale me pronarin e truallit.

Në deklaratë hidhen poshtë pretendimet për cënim të pronës private, duke u theksuar se çdo mosmarrëveshje mbi pronësinë duhet të trajtohet nga institucionet përkatëse dhe jo përmes interpretimeve publike.

Gener 2 ka sqaruar gjithashtu se rrethimi i kantierit është realizuar në përputhje me standardet ligjore dhe të sigurisë, me qëllim garantimin e mbrojtjes së punonjësve, komunitetit dhe mjedisit përreth.

Sa i takon ndikimit në mjedis, kompania argumenton se sipërfaqja e ndërtimit përfaqëson më pak se 10% të truallit prej 148 hektarësh. Sipas Gener 2, projekti parashikon krijimin e rreth 300 mijë metrave katrorë sipërfaqe të gjelbra, peizazhe dhe hapësira publike.

“Këto projekte nuk e krijojnë vlerën vetëm përmes ndërtesave, por përmes balancës mes hapësirave të ndërtuara, gjelbërimit dhe mjedisit natyror”, thuhet në deklaratë.

Kompania shton se raporti i ndikimit në mjedis ka marrë në konsideratë ruajtjen e korridoreve ekologjike, respektimin e distancës prej 300 metrash nga vija bregdetare, si dhe mbrojtjen e dunave ranore dhe biodiversitetit të zonës.

Në aspektin ekonomik, Gener 2 vlerëson se “Blue Borgo” do të ketë një ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e rajonit. Gjatë fazës së ndërtimit parashikohet angazhimi i rreth 3 mijë punonjësve, ndërsa pas përfundimit të investimit dhe nisjes së operimit të kompleksit pritet të krijohen rreth 1 mijë vende pune të përhershme.

Sipas kompanisë, projekti do të gjenerojë gjithashtu kërkesë shtesë për prodhimet bujqësore lokale, transportin, shërbimet dhe produktet tradicionale të zonës, duke sjellë një efekt shumëfishues në ekonominë e veriut.

Gener 2 e konsideron “Blue Borgo” si një investim që synon krijimin e një qyteze turistike të planifikuar sipas standardeve moderne, me objektiv zgjerimin e sezonit turistik gjatë gjithë vitit dhe rritjen e atraktivitetit të Shqipërisë si destinacion ndërkombëtar.

Në përfundim të deklaratës, kompania rithekson angazhimin për transparencë, respektim të ligjit dhe zbatim të standardeve më të larta mjedisore e të sigurisë gjatë gjithë fazave të realizimit të projektit.