Një tentativë për të organizuar një protestë qytetare në qytetin e Përrenjasit ka dështuar pasi banorët nuk iu përgjigjën kërkesës së thirrur për tu bashkuar në shesh. I vetmi banor që mori pjesë ironizoi të tjerët duke u shprehur se ‘banorët këtu nuk kanë halle e probleme.
Ai shtoi se kishte planifikuar t’i drejtonte disa fjalë kreut të pushtetit lokal, por e pa të pamundur për shkak të mungesës së dëgjuesve. Fjalimi vazhdoi me një falënderim gjithashtu ironik për ata që po vëzhgonin tubimin nga kafenetë.
“Mirëmbrëma, mirë se keni ardhur. Në fakt s’keni ardhur po s’ka problem, erdhëm ne. Erdhëm t’ju përshëndesim, thamë që si gjithë Shqipërinë ta organizonim një protestë dhe këtu në Përrenjas. Unë jam bir i kësaj ane. Po me sa duket ju s’paskeni halle dhe probleme fare. Unë kisha bërë mend që t’i thosha ca fjalë Nuriut, po s’ja them dot se ju qenkeni të gjithë në punë.
Megjithatë ne ju falenderojmë shumë, që na shikoni dhe nga kafja kështu. Patjetër që do falenderojmë policinë e shtetit. Faleminderit shumë. Edhe diçka doja t’ju thoja. Nëse ndokush ju pyet, se pse, nga ishte Vilson Blloshmi apo Genc Leka apo Petrit Blloshmi, mos i tregoni që ishte nga kjo anë. Sepse ata do të dridhen në varr. Mos i tregoni se ata dhanë jetën për këtë anë. Ju faleminderit”, u shpreh qytetari.







