Meksika merr ngjyra të veçanta gjatë festimeve të Ditës së të Vdekurve, që kulmojnë më 1 dhe 2 nëntor. Lule portokalli, qirinj të ndezur dhe fytyra të lyera si skelete elegante, të njohura si “Catrinas”, mbushin rrugët dhe sheshet e qyteteve.
Sipas besimeve popullore, gjatë këtyre ditëve shpirtrat e të afërmve të ndjerë kthehen përkohësisht në tokë për t’u ribashkuar me familjet e tyre.
Tradita e ka zanafillën në besimet e popullsive vendase të periudhës para-hispanike, ndërsa pas pushtimit spanjoll në vitin 1521 u ndërthur edhe me elemente të fesë katolike. Në kryeqytetin meksikan organizohen parada madhështore, ndërsa tregjet dhe furrat e bukës mbushen me lule “cempasuchil” dhe bukën tradicionale.
Familjet përgatisin altarë në shtëpi, ku vendosin fotografi, ëmbëlsira, ushqime dhe pije të preferuara të të ndjerëve. Në mbrëmjen e 1 nëntorit, shumë prej tyre mblidhen në varreza për të kujtuar të afërmit.
Por popullariteti ndërkombëtar i festës dhe fluksi i turistëve po krijojnë tensione në disa zona. Një pjesë e banorëve kundërshtojnë paradën me figura “Catrinas”, e cila u krijua fillimisht për filmin e James Bond “Spectre”, në vitin 2015, dhe më pas u përfshi në festimet zyrtare.
Një vendim i veçantë është marrë këtë vit në ishullin Janitzio, ku tradita është njohur nga UNESCO si Trashëgimi Kulturore Jomateriale e Njerëzimit që prej vitit 2008. Për herë të parë, autoritetet kanë mbyllur varrezën për turistët, pasi dyndja e vizitorëve shkaktoi dëmtime të varreve, kryqeve dhe mureve rrethuese.
Hyrja do të lejohet vetëm për familjet vendase dhe miqtë e personave të varrosur aty, në një përpjekje për të mbrojtur traditën që mbetet nje moment familjar dhe përkujtimor.







