Të paktën 19 persona raportohet se janë vrarë në një sulm ajror të ushtrisë venezueliane ndaj një kampi të organizatës së armatosur kolumbiane ELN, pranë kufirit me Kolumbinë.
Sulmi i pretenduar ndodhi të premten në Buena Vista del Meta, në shtetin Apure të Venezuelës. Lajmi është bërë i ditur nga ish-deputeti venezuelian Juan Francisco Garcia Escalona, i cili koordinon aktivitetin e organizatës për të drejtat e njeriut Fundaredes në këtë rajon.
Sipas tij, organizata ka marrë dëshmi për një operacion ushtarak në zonë. Informacionet paraprake bëjnë me dije se nëntë trupa janë transportuar drejt San Fernando de Apure, kryeqytetit të shtetit, për t’iu nënshtruar ekspertizave mjeko-ligjore. Ndërkohë, 10 trupa të tjerë raportohet se kanë mbetur në vendin e ngjarjes.
Po ashtu, një numër i papërcaktuar personash të plagosur dyshohet se kanë kaluar kufirin drejt Kolumbisë.
Banorë të Puerto Paez kanë dhënë gjithashtu emra dhe të dhëna identifikuese që pretendohet se janë gjetur në vendin e sulmit, raportoi media kolumbiane Blu Radio. Megjithatë, identitetet e viktimave nuk janë konfirmuar zyrtarisht.







