Nga Desada Metaj
Marjana Koçeku u largua nga grupi parlamentar i PS me dy fjali të thjeshta që treguan shumë për bezdisjen që i kishte sjellë sjellja dhe reagimi i Edi Ramës ndaj protestave dhe investimit në Zvërnec. Deri këtu gjithçka duket idilike. Një deputete e re që kupton se ka zgjedhur krahun e gabuar të historisë.
Por Marjana Koçeku nuk është thjesht një socialiste e zemëruar, siç ka sot me shumicë në sheshin para Kryeministrisë. Për hir të së vërtetës, ajo nuk është as një nga përfitueset e tenderave apo të korrupsionit qeveritar. Kjo është pikërisht arsyeja pse largimi i saj ka peshë politike dhe ngre pyetje që meritojnë përgjigje.
Marjana është deputete e Parlamentit, e para e listës së Shkodrës, dhe jo aq e paditur sa të mos kuptojë se nga qershori i kaluar, kur u kërkonte shqiptarëve të votonin Edi Ramën, deri te thirrja e sotme drejtuar socialistëve për ta bojkotuar atë, nuk ka ndodhur ndonjë ndryshim i madh. Modeli i zhvillimit të Shqipërisë nuk ka ndryshuar. Korrupsioni nuk ka ndryshuar. As lidhjet me krimin, sidomos në Shkodër, nuk kanë ndryshuar.
Pikërisht për këtë arsye, Marjana duhet t’u shpjegojë socialistëve që e votuan pse sot duhet ta braktisin Edi Ramën. Nuk mjaftojnë dy fjali. Nuk mjafton as ikona e flamingos.
Nga keci i Ramës te flamingot e protestës ka një kapërcim të madh politik dhe moral. Një kapërcim që meriton të shpjegohet, në respekt të atyre që e votuan para një viti dhe të atyre që sot e mbështesin në shesh.







