Ballina Kronika Nga ‘Kallami’ tek ‘Fantazma’, Eldi Dizdari del tel ‘Alumini’ i Elman Abules....

Nga ‘Kallami’ tek ‘Fantazma’, Eldi Dizdari del tel ‘Alumini’ i Elman Abules. Si u goditën lordët e drogës e pasuritë

80
0

Nga Elton Qyno 

Goditja e “lordëve” shqiptarë të trafikut të kokainës nga SPAK, ka nxjerrë në sipërfaqe një pasuri sheikësh që është investuar dhe vijon të investohet, në disa zona të lakmuara si në Tiranë, Durrës dhe bregdetin e jugut.

Ndërtimi është fusha kryesore ku ata kanë kapitalizuar pasurinë, duke investuar në komplekse vilash, apartamente luksoze e deri tek fabrika Alumini.

Mes 10 emrave të identifikuar nga prokuroria e posaçme SPAK, janë Armando Paçrama i njohur ndryshe me nofkën “Fantazma”, Eldi Dizdari alias Matoshi i njohur në Tiranë me nofkën “Kallami”, Dritan Gjika dhe Salvatore Aliu nga Elbasani.

Emri i Eldi Dizdarit, del në disa çështje penale. Ai ka një seri lidhjesh në Tiranë, mes të cilëve edhe Kristjan Boçi, Elman Abule që aktualisht është i pandehur në dosjen e Erjon Veliaj.

Sipas të dhënave Elman Abule dhe Kristjan Boçi, kanë miqësi me dy vëllezërit Saimir Dizdari dhe Eldi Dizdarin, ky i fundit një bos ndërkombëtar i trafikut të kokainës që aktualisht qëndron në Dubai.

Por qëndrimi i Eldi Dizdarit në Dubai, pritet se nuk do zgjasë dhe shumë kohë. Dizdari, rezulton i dënuar në Itali si pjesë e grupit kriminal “Kompania Bello”, i hetuar disa vite më parë nga prokuroria e Firences dhe tashmë një masë sigurimi “arrest në burg” është vendosur nga SPAK.

Sipas informacionit, miku i Eldi Dizdarit, Elman Abule kontrollon me letra dy kompanitë e aluminit “Rametal” dhe “Fidalba” të hapura në vitin 2014 dhe 2010. Ndërsa ka dyshime të forta se pronari në hije, i këtij biznesi është pikërisht, Denis Matoshi alias Eldi Dizdari.

Kompania “Rametal”, fillimisht është hapur në 11 mars 2014 nga Kristjan Boçi dhe Marisa Nito, gruaja e Elman Abules, ku për herë të pare, ky biznes është quajtur “Metalform”. Të dy ortakët zotëronin secili 50 për qind të aksioneve.

Por nuk ka kaluar 5 muaj nga themelimi i kësaj kompanie dhe tek ky biznes është shfaqur Eldi Dizdari alias Denis Matoshi. Në muajin korrik 2014, Dizdari, blen përmes një kontrate noteriale, 50 për qind të aksioneve.

Dokumentat tregojnë se shitësja në këtë rast ishte Marisa Nito, gruaja e Elman Abules, ndërsa blerësi ishte Dizdari, i cili pretendohet se ka paguar 10 mijë euro, jashtë zyrës së noterit.

Për dy vitet në vijim kompania e aluminit “Rametal” është drejtuar nga Kristjan Boçi dhe trafikanti i drogës, Eldi Dizdari. Por në gusht të vitit 2016, Eldi Dizdari, vendos të largohet nga aksionet e kësaj kompanie, ku përmes një deklarate private (jo noteriale) ai ja shet aksionet Elman Abules, kundrejt një shumë financiare prej 10 mijë euro.

Informacioni thotë se dy vite pasi nga kjo kompani u “largua” Eldi Dizdari, në 9 qershor 2018 ka vendosur të largohet dhe Kristjan Boçi, i cili i shet kundrejt 100 mijë lekë të vjetra 50 për qind të aksioneve Elman Abules, i cili tashmë bëhet pronar i plotë i “Ramental”, duke zotëruar aksionet e këtij biznesi përmes kompanisë tjetër të aluminit “Fidalba”.

Të dhënat konfidenciale të mbëritura në Policinë e Shtetit, flasin se “Rametal” dhe “Fidalba”, kryejnë importin e mallrave të dyshimtë të

llojit skorje alumini, të cilat janë ndaluara me ligj për hyrje dhe zhdoganim në Republikën e Shqipërisë, pasi këto lëndë janë të klasifikuara si të rrezikshme dhe me prani të radioaktivitetit.

“…ka rezultuar se Elman Abule në bizneset e tij ka lidhje me persona të përfshirë në aktivitete të paligjshme dhe konkretisht me Kristian Boçi apo Denis Matoshin alias Eldi Dizdari…”-thuhet në dokument.

Gjithashtu sipas informacionit të Interpol Brukselit, rezulton se Elman Abule, është i njohur në Blegjikë për “Organizatë Kriminale”, “Vjedhje në rrethana rënduese” dhe “Mbajtje dhe shitje e sendeve të vjedhura”, fakte të ndodhura në vitet 2004-2005.

Konkretisht nga informacioni i përcjellë nga Drejtoria e Interpolit në 12 shtator 2023 është informuar se Elman Abule është dënuar më datë 17 janar 2007, nga Gjykata e Antvvep, me 30 muaj burg për veprën penale të “Vjedhje me thyerje ose duke përdorur çelësa të kopjuar dhe krijim bande”, duke u dënuar ky shtetas me 2 vjet burg me kusht dhe 1 vit vit në burg për “krijim bande”.

Dritan Gjika, Eldi Dizdari dhe Armando Paçrama janë arrestuar gjatë viteve 2020-2024 në Dubai për trafik të tonelatave drogë. Arrestimi i tyre është kryer për llogari të Drejtësisë Braziliane dhe Italiane.

Por për shkak të sigurive dhe praktikave ligjore të Dubait, ata janë lënë të lirë, në pritje të ekstradimit.

Por tashmë 3 emrat e njohur të trafikut të drogës së bashku me personat e tjerë rezidentë në Dubai, si vëllezërit Isa Aliu dhe Salvatore Aliu, pritet të arrestohen për llogari të prokurorisë Shqiptare me qëllim kryerjen e ekstradimit të tyre në Shqipëri.

Sipas dosjes hetimore të dhjetë personat e proceduar për një seri akuzash të rënda si trafik droge dhe pastrim parash, janë zbuluar përmes bisedave të aplikacionit “Sky”. Nga komunikimet mes tyre janë zbuluar 5 raste të trafikimit të mbi 8 ton drogë.

Dritan Gjika, konsiderohet si “koka” e mafies shqiptare të trafikut të drogës në Ekuador. Ai është arrestuar në vitin 2025 në Abu Dhabi.

47-vjeçari Dritan Gjika, kishte mbërritur për herë të parë në Ekuador në vitin 2009 me vizë vizitori të përkohshëm, sipas të dhënave të tij të migracionit.

Ai u bë një nga personat më të kërkuar në vend, pasi udhëhiqte një organizatë kriminale që operonte si në Ekuador ashtu edhe në Spanjë, duke dërguar sasi të mëdha të substancave narkotike në vendet e Amerikës Qendrore dhe në Europë (në veçanti në Holandë, Belgjikë dhe Spanjë).

Struktura kriminale që ai drejtonte përfshinte një nivel drejtues, logjistikë dhe bashkëpunëtorë që punonin në realizimin e këtyre veprave penale, me ndihmën e kompanive të ligjshme që përdornin për pastrimin e parave dhe fshehjen e veprimtarive tregtare e financiare, ndërsa akuzohen se pastruan mbi 43 mln dollarë të mafias shqiptare të kokainës./ Syri