Historiani dhe studiuesi Auron Tare ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili ka pretenduar se protestat po ndikojnë negativisht në turizmin shqiptar.
Në një reagim publik, Tare argumenton se tubimet paqësore nuk përbëjnë rrezik për sektorin turistik, por përkundrazi janë tregues i një shoqërie aktive dhe demokratike.
Sipas tij, një provë konkrete është mbërritja e kroçerës amerikane “Seabourn” në Portin e Sarandës, pavarësisht zhvillimeve të fundit në vend.
Postimi:
Sot në mëngjes, në Portin e Sarandës mbërriti kroçera amerikane Seabourn. Në industrinë e turizmit dihet mirë se, kur një vend konsiderohet i pasigurt ose i përfshirë nga trazira serioze, të parat që ndryshojnë itineraret janë anijet turistike. Arsyeja është e thjeshtë: kompanitë e kroçerave përballen me kosto shumë të larta siguracionesh dhe shmangin çdo destinacion që klasifikohet si problematik.
Po të ishte Shqipëria një vend i përfshirë nga trazira dhe pasiguri, kjo kroçerë nuk do të ankorohej sot në Sarandë. Përkundrazi, pas saj janë planifikuar të mbërrijnë edhe anije të tjera turistike, sipas kalendarit të zakonshëm të sezonit.
Një tregues tjetër domethënës është fakti se Ambasada Amerikane nuk ka lëshuar asnjë paralajmërim për rrezikshmërinë e protestave në Shqipëri. Kjo tregon qartë se situata nuk perceptohet si kërcënim për vizitorët e huaj.
Madje, mund të thuhet se protestat paqësore e bëjnë një shoqëri më interesante në sytë e turistëve, sepse dëshmojnë se qytetarët janë aktivë dhe të angazhuar në jetën publike të vendit.
Kërcënimi i vërtetë për turizmin shqiptar nuk janë protestat. Kërcënimi i vërtetë është betonizimi i zonave të mbrojtura, shkatërrimi i peizazheve natyrore, ndërtimet pa asnjë lidhje me arkitekturën dhe traditën vendase, si dhe transformimi i Shqipërisë në një destinacion pa identitet kulturor.
Turistët nuk udhëtojnë mijëra kilometra për të parë betonin që mund ta gjejnë kudo. Ata vijnë për natyrën, historinë, kulturën dhe veçantinë e këtij vendi. Pikërisht këto janë pasuritë që duhen mbrojtur, nëse duam një turizëm të qëndrueshëm dhe afatgjatë.
Prandaj protesta për te mbrojtur natyrën shqiptare trashëgiminë dhe kulturën tone është jo vetëm një e drejte legjitime por nje shërbim i çmuar qe i behet ketij vendi te rraskapitur nga klasa e vet politike.







