Një nga yjet e rinj të këtij Botërori që po shihet me vëmendje është Jan Diomand, sulmuesi i Bregut të Fildishtë dhe Lajpcigut. Ai ka qenë prej kohësh në qendër të vëmendjes të skuadrave të mëdha dhe klubi gjerman i ka vendosur një çmim prej 100 milionë eurosh kartonit të tij.
Por pakkush njeh historinë e vërtetë të Diomand që ai e ka treguar nëpërmjet një rrëfimi në “The Players Tribune”, duke zbuluar se ia kushton të gjithë atë që bën në fushën e lojës, motrës së tij, Roksan, e cila është ndarë nga jeta në mënyrë tragjike në moshën 15-vjeçare.
“Çdo gjë që bëj, e bëj për ty. A të kujtohet kur dikush më dha një fanellë të rreme të Junajtid dhe shkrova Ronaldo 7 me bojë? Ti ishe ajo që gjithmonë besonte se mund të bëhesha Kristiano i ardhshëm, ndërsa të gjithë të tjerët qeshnin. Dhe e di çfarë është çmenduri? Pas debutimit tim me Leganes kundër Real Madridit, ndërrova fanellat me Mbape. A të kujtohet kur e shikonim dhe ti the, ‘Po, Mbape është i mirë, por vëllai im është më i mirë’?”
Roksan ndërroi jetë pak pas asaj ndeshjeje me Real Madridin: “Dikush i hodhi diçka në pije në një festë dhe ajo nuk u zgjua kurrë. Ajo iku. Ishte 15 vjeçe dhe nuk mora kurrë përgjigje. Që kur vdiqe, nuk ndiej asgjë. Vetëm në fushë ndihem e qetë dhe mund të flas me ty. Çdo gjë që bëj në fushë, e bëj për ty. E tëra çfarë mund të bëj është të përdor dhimbjen për të punuar më shumë dhe për të bërë realitet të gjitha ëndrrat që kemi ushqyer. Do të sigurohem që të gjithë ta dinë emrin tënd. E gjithë bota”, ishte rrëfimi i Diomand.







