Ballina Politika Sekuestrimi nga SPAK i hotelit në Vuno, Berisha: Ndërtuar në truall publik,...

Sekuestrimi nga SPAK i hotelit në Vuno, Berisha: Ndërtuar në truall publik, në kufi me pronën që pretendon Rama

101
0

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në konferencën e sotme me gazetarët është ndalur tek hoteli i famshëm “Zig Zag”, i cili u sekuestrua nga SPAK.

Sipas Sali Berishës, prona ku u ndërtua ky hotel është tokë publike dhe jo private. Teksa bëri publike një hartë që dikur është publikuar nga i ndjeri Artan Lame, Berisha deklaroi se pasi Lame e bëri publike, Rama e shkarkoi menjëherë.

Po sipas asaj që pretendon Berisha, pozicioni ku është blerë toka lë shumë për të dyshuar, ndërsa thekson se “toka ndodhet në kufij me tokën e pretenduar nga Edi Rama”.

“Pra e shihni Artan Lame publikon hartën, i cili ka meritën që nuk e regjistroi kurrë tokën e pretenduar nga Edi Rama, Olsi Rama, mamaja e tyre e ndjerë Aneta Koleka, pasi xhinsi i tyre i provuar me dokumente ishte në varfëri ekstreme. Pra toka është publike, sipas hartës që ka publikuar toka e hotelit Zig Zag është publike, nuk është private. Pasi publikoi këtë hartë Edi Rama e shkarkoi me tërbim”, deklaroi kreu i PD.

Berisha tha po ashtu se për herë të parë në histori ka blerës toke, por pa shitës: “Për tre vite Isa Aliu bashkë me noterin nuk e kanë ditur se për regjistrimin në ASHK duhet kontrata e shit blerjes dhe raporti i vlerësimit. Por pozicioni ku është blerë toka lë shumë për të dyshuar. Disa gjëra që janë të sigurta janë fakti se toka ndodhet në kufij me tokën e pretenduar nga Edi Rama. Ndërsa dyshimi i fortë mbetet se kjo tokë është brenda kufijve për të cilën Edi Rama, e ndjera Aneta Rama dhe Olsi Rama pretendojnë. Ne nuk kemi mundur të gjejmë shitësit, as mënyrën si e kanë përfituar shitësit këtë tokë. Është rasti i parë në histori, ku ka blerës pa shitës. Në certifikatën e regjistrimit zëri kadastral është shënuar pemtore, në një vend që ka pasur vetëm shkurre. Pra në rast se nuk do ishte shënuar e tillë, cdo lloj forme përfitimi, qoftë me AMTP qoftë me trashëgimi do ishte e pamundur të posedohej pasi në Vuno janë ndarë me ligjin 7501 janë ndarë vetëm ullishtet”.