Ballina Politika Heqja e flamurit të Izraelit nga ambasada në Tiranë, Koçiu: Akt i...

Heqja e flamurit të Izraelit nga ambasada në Tiranë, Koçiu: Akt i papranueshëm provokimi

100
0

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka dënuar heqjen e flamurit të Izraelit nga ambasada e këtij të fundit në Tiranë nga protestues të maskuar gjatë tubimit të zhvilluar mbrëmë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Koçiu thotë se “çdo akt që synon të shënjestrojë identitetin e një populli, të delegjitimojë praninë e tij ose të nxisë armiqësi mbi baza etnike apo fetare, krijon terren për intolerancë dhe antisemitizëm, fenomene që Europa i njeh nga kapitujt më të errët të historisë së saj dhe që nuk mund të kenë vend në shoqëritë demokratike”.

Reagimi i plotë i Albana Koçiut:

Heqja e flamurit izraelit nga godina e Ambasadës së Izraelit në Tiranë është një akt i papranueshëm provokimi, që cenon normat themelore të respektit ndaj përfaqësive diplomatike dhe bie ndesh me frymën e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike.

Ky nuk është thjesht një sulm ndaj një simboli shtetëror. Çdo akt që synon të shënjestrojë identitetin e një populli, të delegjitimojë praninë e tij ose të nxisë armiqësi mbi baza etnike apo fetare, krijon terren për intolerancë dhe antisemitizëm, fenomene që Europa i njeh nga kapitujt më të errët të historisë së saj dhe që nuk mund të kenë vend në shoqëritë demokratike.

Shqipëria është një vend mikpritës, një partner i besueshëm, pa asnjë tolerancë ndaj antisemitizmit apo gjuhës së urrejtjes. Ky akt i turpshëm dhe i izoluar bie ndesh me traditën tonë të gjatë të harmonisë, respektit dhe mbrojtjes së tjetrit, parime këto që kanë karakterizuar popullin shqiptar përgjatë historisë.

Shprehim solidaritetin tonë të plotë me Ambasadën e Shtetit të Izraelit dhe rikonfirmojmë angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për respektimin e së drejtës ndërkombëtare, mbrojtjen e misioneve diplomatike dhe promovimin e vlerave europiane të tolerancës, respektit dhe bashkëjetesës.