Nga Klevi Elezi, Analist
Ka një energji të dukshme në protestat qytetare në Shqipëri. Zemërimi ndaj elitave politike, korrupsionit, klientelizmit dhe ndjesia se institucionet nuk përfaqësojnë më qytetarin e zakonshëm janë elemente reale dhe legjitime në shoqëri demokratike. Pikërisht këto ndjenja ushqyen dy nga fenomenet më të mëdha politike europiane të dekadës së fundit: lëvizjen italiane Movimento 5 Stelle dhe partinë greke SYRIZA.
Sot, për këdo që mendon se protesta popullore mund të shndërrohet në një alternativë politike në Shqipëri, historia e tyre meriton vëmendje.
Revolta kundër establishmentit çon në dështim. Ashtu si shumë protestues shqiptarë sot, Cinque Stelle lindi nga bindja se e majta dhe e djathta tradicionale ishin bërë pjesë e të njëjtit sistem. Lëvizja e udhëhequr nga Beppe Grillo arriti të tërhiqte votues nga të gjitha kampet politike dhe madje edhe qytetarë që nuk kishin votuar më parë. Studiuesit kanë treguar se suksesi i saj erdhi pikërisht nga aftësia për të bashkuar të pakënaqurit e të gjitha ngjyrave politike.
Edhe Syriza u ngrit mbi një valë zemërimi popullor. Kriza ekonomike greke, masat e ashpra të kursimit dhe humbja e besimit tek partitë tradicionale krijuan terrenin për një forcë që premtonte të përmbyste rendin ekzistues.
Në të dy rastet, protesta u shndërrua në fuqi elektorale. Problemi filloi kur revolta fiton zgjedhjet.
Është shumë më e lehtë të identifikosh problemet sesa t’i zgjidhësh ato. Është shumë më e lehtë të bashkosh njerëzit kundër një armiku të përbashkët sesa të qeverisësh një shtet me interesa të kundërta.
Cinque Stelle premtoi se nuk ishte “as e majtë dhe as e djathtë”. Por sapo mori pushtetin, u detyrua të zgjedhë aleatë, të bëjë kompromise dhe të marrë vendime konkrete. Fillimisht qeverisi me të djathtën e Matteo Salvini, më pas me qendrën e majtë. Kjo i zhgënjeu shumë nga mbështetësit e saj, të cilët e kishin parë si alternativë ndaj të gjithë sistemit. Me kalimin e viteve, lëvizja u përça dhe humbi një pjesë të madhe të mbështetjes elektorale. Dështoi.
Syriza përjetoi një zhgënjim edhe më të madh. Ajo erdhi në pushtet me premtimin për t’i dhënë fund politikave të kursimit. Por përballë realitetit ekonomik dhe presionit europian, qeveria e Alexis Tsipras u detyrua të zbatojë pikërisht ato masa që kishte premtuar se do t’i luftonte. Për shumë mbështetës, ky ishte momenti i tradhtisë politike. Më pas partia hyri në krizë, humbi zgjedhjet dhe madje humbi edhe statusin e forcës kryesore opozitare në Greqi.
Shumë nga sloganet që dëgjohen sot në protestat shqiptare tingëllojnë të njohura: Të gjithë janë njësoj; Sistemi duhet rrëzuar; Populli duhet të marrë pushtetin; Partitë kanë dështuar, etj, janë pikërisht sloganet që dëgjoheshin në Itali dhe Greqi para se Cinque Stelle dhe Syriza të ngjiteshin në pushtet.
Por historia tregon se zemërimi, sado i drejtë, nuk mjafton për të qeverisur. Një protestë mund të bashkojë ambientalistë, konservatorë, socialistë, nacionalistë, besimtarë dhe liberalë nën të njëjtën kauzë. Një qeveri nuk mund ta bëjë këtë për shumë kohë. Herët a vonë duhet të marrë pozicione për ekonominë, taksat, politikën e jashtme, investimet, energjinë dhe administratën.
Atëherë fillojnë ndarjet. Nis degradimi që mund të jetë edhe më keq për vendin se me parë.
Cinque Stelle dhe Syriza nuk dështuan sepse njerëzit që i mbështetën ishin gabim. Ato dështuan sepse e kthyen revoltën në program qeverisës pa e kuptuar se çfarë do të thotë qeverisje.
Historia europiane sugjeron se rruga nga sheshi në qeveri është shumë më e vështirë sesa rruga nga zemërimi te protesta. Dhe se jo çdo revolucion elektoral përfundon në një histori suksesi. Shpesh, si në Itali dhe Greqi, ai përfundon duke u bërë pjesë e të njëjtit sistem që kishte premtuar të rrëzonte./bulevardnews







