Një nga organizatorët e protestës qytetare kundër qeverisë, Arben Kola, ka reaguar këtë të dielë pas debatit të krijuar nga deklaratat e tij të një nate më parë, të cilat u ripostuan edhe nga kryeministri Edi Rama.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kola ka sqaruar se deklarata e tij është keqinterpretuar dhe se ai nuk ka pretenduar se protesta organizohet, financohet apo drejtohet nga agjentura të huaja.
“Unë nuk kam thënë se protesta organizohet, financohet apo drejtohet nga agjentura të huaja. Kam thënë krejt të kundërtën: se mund të ketë përpjekje nga agjentura serbe apo greke për ta sabotuar, përçarë ose diskredituar protestën”, shkruan ai.
Sipas Kolës, të thuash se dikush tenton të dëmtojë një protestë nuk është e njëjta gjë me të pretendosh se ai e organizon atë. Ai thekson se protesta ka lindur nga qytetarët shqiptarë dhe mbahet gjallë prej tyre.
“Kush mundohet të ngatërrojë këto dy gjëra ose nuk kupton shqip, ose po përpiqet të mashtrojë opinionin publik”, shprehet Kola.
Ai e mbyll reagimin e tij duke përsëritur bindjen se lëvizja qytetare nuk mund të ndalet.
“Ju kemi thënë se ky zgjim është vullnet i Zotit dhe nuk e zhbën askush. Shqipëria e shqiptarëve, jo e tradhtarëve”, shkruan aktivisti.
Reagimi i Kolës vjen një ditë pasi kryeministri Edi Rama publikoi deklaratat e tij, duke i vendosur ato në qendër të debatit politik dhe mediatik.







