Seanca ndaj ish presidentit Ilir Meta në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, është shoqëruar me debate të forta dhe deklarata të ashpra.
Pas një përballjeje disaorëshe në gjykatë, sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi në një deklaratë për mediat pas përfundimit të seancës u shpreh theksuar se akuzat e ngritura janë tërësisht politike dhe tashmë të çmontuara në çdo detaj.
Blushi akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama dhe ish-zyrtarin e FBI-së, Charles McGonigal, ku i cilësoi jo vetëm si autorë, por edhe si ideatorë të asaj që e përkufizoi si një “rrëmbim kriminal” të kreut të Partisë së Lirisë.
Pavarësisht 20 muajve të një hetimi të thelluar, Blushi tha se ish-presidenti ende nuk është marrë në pyetje në cilësinë e të akuzuarit, duke u përballur me “standarde të trefishta” nga ana e sistemit të drejtësisë.
“Po filloj me dy emrat kryesorë të dëshmitarëve, është Edi Rama dhe Charles McGonigal, të cilët janë jo vetëm autorët e rrëmbimit kriminal të zotit Meta, por edhe ideatorët e gjithë këtij procesi ku u krye politikisht. Ajo çfarë ndodhi sot në seancë ishte në fakt një asgjësim i të gjithë akuzave politike të bëra ndaj zotit Meta, sepse duhet theksuar që asgjë nuk është e rastësishme.
Çdo gjë ka qenë e qëllimshme dhe fakti që pas 20 muajsh hetim të thellë të presidentit të Partisë së Lirisë, ende zoti Meta nuk është marrë në pyetje në cilësinë e të akuzuarit, besoj është tregues. Sikundër është tregues fakti që ende zoti Meta vijon të trajtohet me standarde të trefishta, apo me standardesh e një polici.
Është tanimë fakt që të gjitha akuzat politike ndaj zotit Meta janë çmontuar kokë e këmbë, dhe se askush nuk mund ta njollosë dot emrin e tij. Theksoj që zoti Meta që në krye të herës, sikundër e theksoi edhe në fillim të kësaj seance, ka çmontuar fije për pe, germë dhe presje të gjithë ato deduksione, se nuk janë as akuza, janë deduksione të prokurorisë.
Madje sa i përket çështjes që pyetët edhe avokatin Cakrani, sa i përket çështjes së mënyrës se si është llogaritur apo se si është verifikuar pasuria e zotit Meta, zoti Meta kërkoi sot në këtë seancë që të zbatohet e njëjta metodologji që është ndjekur me prokurorët dhe me gjyqtarët sa i përket çështjes së vetingut.
Pra, pyetja që ai shtroi ishte: vetingu për prokurorët dhe gjyqtarët fillon nga gushti i vitit 2016 kur hyri në fuqi ligji i vetingut, apo ka nisur që nga dita e parë që prokurorët dhe gjyqtarët kanë marrë pagën e parë në shtet?
Sepse të mos harrojmë që nga periudha nga viti 1992 kur zoti Meta, mos gabohem në moshën 22 vjeçare ka qenë deputet, e deri në vitin 2002 kur ai ka pasur funksione të larta shtetërore, kjo periudhë pra nuk janë llogaritur të ardhurat, me qëllim që ai të dilte me deficit apo jo në raport me financat. Gjithçka është e qartë, gjithçka sot besoj e ka marrë përgjigjen shteruese, por sigurisht për shkak edhe të procedurave gjyqësore, gjyqi do të vijojë. Por në vlerësimin tonë, gjyqi sot ka mbaruar”, u shpreh Blushi.







