Një gjykatë në Gjermani ka dënuar me burgim të përjetshëm Taleb Al-Abdulmohsen, 51 vjeç, për sulmin e rëndë në tregun e Krishtlindjeve në qytetin Magdeburg, ku humbën jetën gjashtë persona dhe rreth 300 të tjerë u plagosën.
Sipas prokurorisë, ngjarja ndodhi më 20 dhjetor 2024 rreth orës 19:02, kur i pandehuri drejtoi një automjet BMW me qira me shpejtësi deri në 48 km/orë përmes turmës së mbledhur në tregun festiv. Sulmi zgjati pak më shumë se një minutë, por shkaktoi viktima të shumta, përfshirë një fëmijë 9-vjeçar dhe pesë gra të moshave 45 deri në 75 vjeç.
Autoritetet gjermane thanë se sulmi ishte i planifikuar dhe i kryer i vetëm, pa lidhje me organizata terroriste, ndërsa motivet u konsideruan kryesisht personale.
Një ekspert psikiatrik konstatoi tek ai çrregullim narcisist të personalitetit, ndërsa vetë i akuzuari tha në gjykatë se veproi për shkak të konflikteve me autoritetet gjermane dhe pakënaqësisë së tij lidhur me çështje sociale dhe politike.
Gjykata e shpalli fajtor për vrasje dhe i dha dënimin maksimal të parashikuar nga ligji gjerman.







