Ballina Europë Samiti në Antibes, Macron dhe Meloni rilançojnë boshtin Itali-Francë: Pa ne, Evropa...

Samiti në Antibes, Macron dhe Meloni rilançojnë boshtin Itali-Francë: Pa ne, Evropa nuk do të ishte ajo që është

91
0

Italia dhe Franca kanë riafirmuar partneritetin e tyre strategjik gjatë samitit të 36-të dypalësh të mbajtur në Antibes, ku Presidenti francez Emmanuel Macron dhe Kryeministrja italiane Giorgia Meloni theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve për stabilitetin e Evropës dhe Perëndimit.

“Italia dhe Franca janë partnerë të domosdoshëm. Ky është kuptimi i Paktit të Kuirinalit që nënshkruam”, deklaroi Macron në përmbyllje të samitit, duke nënvizuar se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të bazuara në respekt dhe bashkëpunim të ndërsjellë. Nga ana e saj, Meloni theksoi se “pa Italinë dhe Francën, Evropa dhe Perëndimi nuk do të ishin ato që janë”, duke e konsideruar partneritetin si thelbësor për të ardhmen e Bashkimit Evropian.

Samiti, i cili ishte shtyrë disa herë që prej vitit 2020, u zhvillua në një klimë të konsideruar pozitive dhe me tone uniteti, pavarësisht dallimeve të mëparshme politike mes Parisit dhe Romës. Të dy liderët theksuan se bashkëpunimi mes tyre nuk është i ftohtë, por i bazuar në diskutim serioz politik dhe mbrojtje të interesave kombëtare.

“Ne mbrojmë interesat tona, por jemi të aftë të punojmë së bashku në mënyrë të respektueshme”, u shpreh Meloni, ndërsa Macron shtoi se “nuk ka asgjë të akullt mes nesh”.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, të dy liderët përdorën një ton të ngrohtë dhe bashkëpunues, duke shkëmbyer deklarata të drejtpërdrejta dhe vlerësime reciproke, ndërsa samiti u përmbyll me nënshkrimin e shtatë marrëveshjeve të reja.

Një nga temat kryesore të diskutimit ishte energjia, ku palët konfirmuan bashkëpunimin për zhvillimin e energjisë bërthamore civile dhe teknologjive të reja, përfshirë reaktorët modularë të gjeneratës së tretë. Kompanitë Edison dhe Électricité de France, së bashku me aktorë të tjerë industrialë, nënshkruan një deklaratë për zhvillimin e përbashkët të projekteve energjetike me synim vitin 2035.

Meloni falënderoi gjithashtu Macron për organizimin e samitit të G7 në Evian, duke e cilësuar si një moment të rëndësishëm për riorganizimin e qëndrimeve të Perëndimit në raport me Ukrainën. Në të njëjtën kohë, ajo sqaroi edhe deklaratat e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, duke theksuar se Italia nuk ka marrë pjesë në konfliktin në Iran dhe ka vepruar vetëm në kuadër logjistik dhe teknik.

Në përfundim të takimit, samiti solli një paketë të gjerë marrëveshjesh që përfshijnë energjinë, hapësirën, inovacionin dhe infrastrukturën, përfshirë projekte të përbashkëta në sektorin hekurudhor dhe investime strategjike për zhvillimin ekonomik.

Sipas dy liderëve, ky bashkëpunim shënon një fazë të re në marrëdhëniet italo-franceze, me fokus në forcimin e pavarësisë strategjike të Evropës dhe rritjen e rolit të saj në arenën ndërkombëtare.