Modelja e njohur Bella Hadid ka ngritur shqetësime te ndjekësit e saj pasi ka ndarë një moment të vështirë nga përballja e saj me sëmundjen e Lyme-t, një gjendje me të cilën është përballur prej vitesh.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hadid publikoi një fotografi ku shfaqej duke qarë, ndërsa tregoi se po kalon një përkeqësim të simptomave dhe se trajtimet e provuara deri tani nuk po i sjellin lehtësim.
“Nuk kam arritur ta kaloj këtë përkeqësim të gjendjes… Kam fjetur 11 orë. Përsëri… Fle çdo ditë gjatë ditës. Kam provuar çdo trajtim dhe çdo protokoll që më ka rekomanduar secili mjek që kam vizituar. Ende asgjë nuk po ndihmon”, shkroi modelja.
Ajo gjithashtu sqaroi se po përpiqet të kujdeset për veten dhe të qëndrojë e hidratuar, ndërsa përshkroi vështirësitë që po përjeton në përditshmëri.
“Po, kam pirë ujë. Dhe jo, nuk dola për shëtitje, sepse më merrej fryma edhe vetëm duke ecur deri në kuzhinë”, u shpreh Hadid.
Modelja shtoi me humor të hidhur se gjendja e saj e ka lodhur edhe mendërisht:
“Nuk besoj se kam qoftë edhe një qelizë të vetme të trurit që po funksionon, dhe dy të fundit po grinden me njëra-tjetrën.”
Postimi i saj shkaktoi reagime të shumta nga fansat, të cilët shprehën mbështetje dhe shqetësim për gjendjen e saj shëndetësore.
Një ditë më vonë, Hadid publikoi një tjetër postim ku sqaroi se thjesht po përpiqej të përballonte emocionet dhe presionin e përditshëm, duke theksuar se kishte nevojë të shprehte atë që po kalonte.







