Aktorja e njohur Mikey Madison tërhoqi vëmendjen në premierën e filmit të ri “The Social Reckoning”, e cila u mbajt të martën mbrëma në Londër.
27-vjeçarja, fituese e çmimit Oscar, ishte ndër yjet që spikatën në tapetin e kuq, duke zgjedhur për këtë event një fustan elegant në ngjyrë të verdhë të zbehtë, i cili u bë menjëherë një prej elementeve më të komentuar të paraqitjes së saj.
Madison kishte veshur një fustan pa rripa, të dekoruar me rruaza dhe me një strukturë të veçantë që krijonte një siluetë të skalitur dhe dramatike, shkruan Daily Mail.
Fustani ishte i punuar me rreshta të shumtë rruazash të mbledhura në mënyrë të valëzuar, duke i dhënë materialit një teksturë të pasur dhe duke krijuar një efekt vizual të theksuar përgjatë gjithë veshjes.
Dizajni i fustanit ishte pjesë e koleksionit Standing Ground, të krijuar nga stilisti Michael Stewart, ndërsa prerja e strukturuar i jepte aktores një pamje elegante dhe moderne.
Madison e mbajti pjesën tjetër të paraqitjes së saj të fokusuar te fustani, duke shmangur elementet e tepërta dhe duke i lënë veshjes rolin kryesor në look-un e saj për tapetin e kuq.
Në premierë ajo u shfaq së bashku me bashkë-yllin e saj Jeremy Allen White, i cili zgjodhi një stil më të thjeshtë dhe më casual. Aktori u paraqit me një xhaketë në ngjyrë bezhë të çelët, këmishë në të njëjtën nuancë dhe kravatë të zezë.
Madison dhe White janë pjesë e kastit të filmit të ri, ku interpretojnë së bashku me Jeremy Strong.
“The Social Reckoning” është një vazhdim i filmit të vlerësuar të vitit 2010, “The Social Network”, i cili trajtoi historinë e krijimit dhe zhvillimit të Facebook-ut dhe u bë një prej filmave më të njohur për botën e teknologjisë dhe rrjeteve sociale.
Premiera londineze mblodhi emra të njohur të kinemasë, ndërsa paraqitja e Mikey Madison në tapetin e kuq ishte ndër momentet që tërhoqën më shumë vëmendje.
Aktorja, e cila fitoi Oscar-in për interpretimin e saj në filmin “Anora”, vazhdon të jetë një prej emrave të rinj më të spikatur të kinemasë amerikane.







