RD e Kongos shkroi historinë në Kupën e Botës 2026, duke mposhtur Uzbekistanin me rezultatin 3-1 në Atlanta dhe duke siguruar për herë të parë një fitore në një Botëror, si edhe kualifikimin historik në fazën me eliminim direkt.
Uzbekistani e nisi ndeshjen në sulm. Goli i Eldor Shomurodovit pas vetëm 20 sekondash u anulua për pozicion jashtë loje, por sulmuesi nuk gaboi në minutën e 10-të, kur përfitoi nga një keqkuptim mes Aaron Wan-Bissakës dhe portierit Lionel Mpasi-Nzau, duke realizuar me një parabolë të bukur për 1-0.
RD e Kongos reagoi menjëherë dhe shënoi me Nathanaël Mbuku, por pas ndërhyrjes së VAR-it goli u anulua për faull në nisje të aksionit. Megjithëse dominoi pjesën e mbetur të pjesës së parë, skuadra afrikane nuk arriti të barazonte.
Barazimi erdhi në pjesën e dytë. Yoane Wissa fitoi një penallti pas një ndërhyrjeje të parregullt të Abdukodir Khusanovit dhe po vetë e shndërroi në gol me qetësi.
RD e Kongos vazhdoi presionin dhe në minutën e 78-të përmbysi rezultatin. Meschak Elia goditi drejt portës, ndërsa Fiston Mayele devijoi topin në rrjetë për 2-1.
Në minutat e fundit, Wissa vulosi fitoren me një goditje të saktë nga jashtë zonës, duke realizuar golin e tij të dytë personal dhe duke i dhuruar kombëtares së tij një sukses historik.
Falë këtij triumfi, RD e Kongos avancon për herë të parë në fazën e 1/16-ave të Kupës së Botës, ku do të përballet me Anglinë. Ndërkohë, Uzbekistani e mbyll pjesëmarrjen e tij të parë në një Botëror pa asnjë pikë.







