Ballina Bota Arrestohet stjuardesa në Australi, në 12 çanta i zbulohet heroinë me vlerë...

Arrestohet stjuardesa në Australi, në 12 çanta i zbulohet heroinë me vlerë 302 mijë euro

53
0

Një punonjëse 26-vjeçare e një kompanie ajrore tajlandeze është arrestuar në Australi, pasi dyshohet se tentoi të fuste në vend më shumë se 1 kilogram heroinë, me një vlerë rreth 500 mijë dollarë australianë (afërsisht 302 mijë euro).

Sipas Policisë Federale Australiane (AFP), e reja ishte në detyrë në bordin e një fluturimi ndërkombëtar kur mbërriti të enjten në aeroportin e Melburnit. Ajo ngjalli dyshime gjatë kontrollit të bagazheve dhe, pas një skanimi me rreze X dhe kontrolleve të mëtejshme, efektivët zbuluan një pluhur të bardhë të fshehur në astarin e 12 çantave të saj. Testet paraprake treguan se bëhej fjalë për heroinë.

26-vjeçarja është akuzuar për importim dhe posedim të drogës. Sipas autoriteteve australiane, këto vepra penale dënohen me deri në 25 vite burg. Ajo pritet të dalë para një gjykate në Melburn në muajin shtator.

“AFP mbetet e vendosur në përpjekjet për të goditur personat që përdorin pozicionin e tyre të punës ose statusin në komunitet për të mbështetur trafikun e drogës”, tha komandantja në detyrë e AFP-së, Simone Butcher.

Policia nuk bëri publik identitetin e të arrestuarës dhe as emrin e kompanisë ajrore ku ajo punon. Megjithatë, kompania kombëtare tajlandeze Thai Airways konfirmoi se një prej punonjëseve të saj është ndaluar në Melburn dhe se po bashkëpunon me autoritetet australiane.

Në një deklaratë, kompania tha se do të marrë “masa vendimtare” nëse provohet se punonjësja ka shkelur rregullat, duke theksuar se stafi e ka të ndaluar të posedojë, transportojë apo përfshihet në çdo formë me lëndë narkotike ose substanca të paligjshme.