Ballina Opinion Mbështetje pa kushte për protestën qytetare…

Mbështetje pa kushte për protestën qytetare…

62
0

Nga Bujar Leskaj

Unë mendoj se ne po fokusohemi gabim në diskutimet tona. Temë dhe kryetemë, fjalë dhe kryefjalë e diskutimeve tona duhet të jetë diskutimi i kërkesave të drejta të protestuesve qytetarë. Ne, prandaj, jemi deputetë të Kuvendit të Shqipërisë; të gjitha detyrimet i kemi për qytetarët shqiptarë, si dhe Shqipëria është republikë parlamentare.

Po ju citoj, duke ju sjellë në vëmendje, nenin 2: sovraniteti i përket popullit dhe populli është në protestë. Pika 2: sovraniteti ushtrohet nëpërmjet përfaqësuesve të tij, që jemi ne deputetët, ose drejtpërdrejt. Në këto 30 ditë, populli ka zgjedhur që, në mënyrë të hapur, në mënyrë deklarative, në mënyrë qytetare, ta ushtrojë sovranitetin drejtpërdrejt.

Detyrimet e deputetit, neni 7, pika 1: deputeti përfaqëson popullin dhe nuk lidhet me asnjë mandat detyrues; nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura dhe votat e dhëna prej tij. Prandaj janë parashikuar në Kushtetutë që ne, si deputetë, përfaqësues të popullit, të diskutojmë për ato që kërkon populli.
Çfarë po kërkon populli dhe si duhet të veprojmë ne si Kuvend?

Kërkesat e protestuesve janë kërkesa që meritojnë mendimin tonë, duke filluar nga kërkesa e parë: dorëheqja e menjëhershme e Kryeministrit, qeveri teknike dhe katër kërkesat për shfuqizimin e ligjeve.
Ne, të dashur deputetë, duhet t’i diskutojmë. Në momentin që nuk i diskutojmë, nuk ka asnjë kuptim.
Ne këto mund t’i diskutojmë nëpërmjet debatit të hapur në Kuvend; mund të ftojmë edhe ekspertët, edhe ata ekspertë që mbështesin Partinë Socialiste në pushtet, por edhe ata 122 akademikë, shumica e të cilëve janë të rinj, të cilët para dy javësh kanë përcjellë mbështetjen e tyre të hapur për protestën.

Ne duhet të ngremë një komision të posaçëm hetimor për kërkesat që kërkojnë protestuesit. Duhet të bëjmë pezullim të përkohshëm të ligjeve të kontestuara dhe, gradualisht, të hartojmë amendamente të reja e t’i miratojmë, në përputhje me kërkesat e qytetarëve protestues. Përndryshe, me këtë refraktarizëm që po tregoni ju si mazhorancë socialiste, do të zhvlerësoni totalisht vetveten, nocionin dhe konceptin e Kuvendit, të Republikës Parlamentare të Shqipërisë, nenin që citova, nenin 2 dhe nenin 7 të Kushtetutës.

Janë pesë ligje që protestuesit i kanë kontestuar (Paketa e Maleve, ligji për trashëgiminë kulturore, ligji për investimet strategjike, ligji për zonat e mbrojtura). Kur këto ligje kërkohen për t’u shfuqizuar apo rishikuar, ne duhet t’i rishikojmë, t’i diskutojmë, si deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, si përfaqësues të qytetarëve.
Nesër, në orën 11:00, ju ftoj të vini në promovimin e librit të studiuesit Ndriçim Kulla: “Tirania e buzëqeshjes- një portret politik dhe psikologjik i Edi Ramës.”
Ju duhet të mësoni se si Enver Hoxha ua bëri nga Koçi Xoxe te Kadri Hazbiu; po vjen edhe koha juaj në raport me Ramën.